Sllaveski mbron vendimin për Alta Bankën: “Stopanska Banka Manastir ishte në prag të falimentimit”
Guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, tha se qëndron plotësisht pas vendimit për t’i dhënë miratimin bankës serbe Alta Banka që të bëhej pjesë e strukturës së pronësisë së Stopanska Bankës Manatir.
Në intervistën e mbrëmshme në TV Telma, ai tha se vendimi u mor pas një procedure tre muajshe, ku u përfshinë edhe institucione të tjera. Sipas tij, shërbimet mbikëqyrëse vlerësuan se investitori i ri i plotësonte kushtet. Sllaveski tha se në atë kohë Stopanska Banka Manatir ishte në gjendje shumë të keqe, duke e përshkruar si “bankë me këmbë prej qelqi”, e cila për pesë vjet kishte qenë nën mbikëqyrje intensive të Bankës Popullore.
“Ishte një bankë me shumë probleme. Ishte me këmbë prej qelqi. Për pesë vjet ishte nën mbikëqyrje intensive të Bankës Popullore. Aksionarët nuk arrinin të mbanin kuvend. Në fakt, banka ishte jofunksionale”, tha Slaveski.
Në intervistë, ai tha se më herët interes për blerjen e bankës kishte shprehur edhe Komercijalna Banka, por nuk kishte arritur marrëveshje me aksionarët. Analizë kishte bërë edhe një bankë nga Hungaria, e cila, pas disa muajsh shqyrtimi, hoqi dorë nga hyrja në Stopanska Bankën Manatir.
Sipas Sllaveskit, banka mund të qëndronte në këmbë vetëm për një periudhë të shkurtër, nga gjashtë muaj deri në një vit, por nuk kishte perspektivë afatmesme.
“Stopanska Banka Manatir kishte një pronar që ishte në listën e zezë të SHBA-së. Kishte probleme me tejkalimin e kufirit të lejuar, me pronësinë e aksioneve dhe me pronësinë përmes personave të tjerë. Banka mund të qëndronte në këmbë vetëm për një kohë shumë të shkurtër, le të themi gjashtë muaj deri në një vit. Nuk kishte të ardhme afatmesme. Po të mos hynte investitori, Stopanska Banka Manatir sot nuk do të ekzistonte. Do të përballeshim me aktivizimin e Fondit për Sigurimin e Depozitave dhe me një rast të ngjashëm me atë të Eurostandard Bankës”, tha guvernatori.
I pyetur për verifikimet para dhënies së miratimit dhe nëse Banka Popullore i kishte ndjekur raportimet në mediat serbe, Slaveski tha se institucioni u ishte drejtuar me shkrim Bankës Qendrore Evropiane dhe rregullatorëve të tjerë për të verifikuar nëse kishin procedura të hapura apo vërejtje lidhur me “Alta Group”.
Ai tha se Banka Qendrore Evropiane më herët i kishte lejuar “Alta Group” të merrte 10 për qind të aksioneve në bankën austriake Addiko, ndërsa më pas këto aksione i ishin kaluar Raiffeisen Bankës. Sipas Slaveskit, përgjigjet që morën nuk ngritën dyshime që mund të përbënin pengesë për hyrjen e Alta Bankës në Stopanska Bankën Manatir.
I pyetur për strukturën e pronësisë dhe reputacionin e personit të lidhur me “Alta Group”, Sllaveski tha se Banka Popullore i kishte dhënë miratimin Alta Bankës së Beogradit, jo një personi fizik.
“Nuk e di sa është përqindja e pronësisë dhe kjo nuk na intereson. Ne i dhamë miratimin Alta Bankës së Beogradit”, tha Slaveski, duke shtuar se nuk mund ta dinte nëse pas emrit të Davor Macurës qëndronte dikush tjetër.
I pyetur se si mund të mos i interesonte institucioni se kush ishte aksionari dhe çfarë reputacioni kishte, guvernatori u përgjigj se Macura kishte pasur leje nga rregullatorët austriakë për të blerë aksione në një bankë austriake dhe se i kishte mbajtur ato deri rreth një muaj më parë, kur ia kishte kaluar Raiffeisen Bankës.
“Unë nuk jam avokat i askujt. Nuk dua të përzihem në punët e një shteti tjetër”, tha Slaveski.
Ai shtoi se vendimi ishte marrë mbi bazën e propozimit të mbikëqyrjes dhe të komitetit mbikëqyrës, ndërsa në proces ishin përfshirë disa nivele të Bankës Popullore.
“Unë jam niveli i katërt në Bankën Popullore. Janë vënë 30 nënshkrime për këtë. Veprova sipas propozimit të mbikëqyrjes dhe komitetit mbikëqyrës”, tha ai.
Slaveski përsëriti se qëndron plotësisht pas vendimit dhe se është i gatshëm ta mbrojë atë.
“Ishim të bindur se një bankë që punon me sukses në Serbi dhe rregullohet nga banka qendrore e atij vendi, me raporte pozitive të audituara dhe që i plotëson kushtet, mund të bëhej aksionare në një bankë tonën, në një kohë kur kishim një bankë në prag të falimentimit. Ajo ishte Stopanska Banka Manatir”, tha guvernatori.
Në fund, ai tha se shërbimet e Bankës Popullore po kryejnë punën e tyre në Alta Bankë dhe shprehu shpresën se çështja do të përfundojë me rezultat të favorshëm së shpejti.
Sipas Slaveskit, bankën e dëmtuan edhe mediat me spekulimet se prej saj po nxirreshin para. I pyetur nëse nuk i kishte habitur kjo dhe nëse i kishte ndjekur raportimet, përfshirë ato të “Financial Times”, se përmes Alta Bankës serbe po pastroheshin para, ai u përgjigj:
“Me siguri nuk e keni lexuar përgënjeshtrimin. ‘Financial Times’ mund të shkruajë çfarë të dojë. Janë gazeta të përditshme e kështu me radhë; nuk duhet të udhëhiqemi nga këto raportime”, tha Slaveski.
I pyetur se çfarë do të ndodhë me depozituesit e Alta Bankës që nuk kanë kartela pagese, pasi Banka Popullore e kufizoi tërheqjen e parave nga bankomatet në 10.000 denarë në javë, Slaveski tha se po përgatitet një organizim i veçantë për këtë kategori. Mes tyre ka rreth 3.500 pensionistë.
Sipas tij, po përgatitet lista e klientëve pa kartela, shumica e të cilëve janë pensionistë. Guvernatori njoftoi se deri të mërkurën ata do të informohen për mundësinë e tërheqjes së parave në sportel.
“Vendimin do ta ndryshojmë vetëm për ta, për arsye logjistike, që të mos u duhet të vijnë shpesh dhe të mund të tërheqin një shumë më të madhe. Për shembull, me një vizitë në sportel të mund të marrin 20.000 denarë, shumë që do t’u mjaftonte për dy javë”, tha Slaveski.
Ai tha se kjo zgjidhje do të zbatohet veçanërisht në Manastir, ku janë të përqendruar shumica e depozituesve të bankës.



