Detaje të reja rreth helimimit të fëmijëve në një prej kopshteve të qytetit të Korçës. Një nënë ngre dyshime rreth shkakut të simptomave te fëmijët dhe kërkon që rasti të hetohet në mënyrë të plotë.
Sipas prindit, dezinfektimi në kopshtin nr 2 të Korçës është kryer në fillim të shtatorit, por enët e kuzhinës nuk ishin përdorur deri pak ditë më parë, pasi nuk kishte nisur shërbimi i ushqimit për shkak të mungesës së tenderit.
Prindi thotë se ushqimi nisi të enjten, ndërsa të premten në mbrëmje djali i shfaqi simptoma të një helmimi. Prindi ngre dyshimin se enët mund të kenë qenë të papastra ose të papërshtatshme për përdorim pas një periudhe të gjatë mosshfrytëzimi.
Prindërit kërkojnë verifikimin e kushteve higjieno-sanitare, ushqimeve të konsumuara dhe enëve të kuzhinës, për të përcaktuar shkakun e simptomave te fëmijët.
Skandali i helmimit të 11 fëmijëve në Korçë
Deri tani mësohet se 6 fëmijë janë dërguar në spital me simptoma të njëjta gastrointestinale, ndërsa 5 janë trajtuar në shtëpi. Pra deri tani 11 fëmijë nga grupi i dytë i cili përbëhej nga 27 fëmijë kanë pasur simptoma helmimi.
Policia tashmë ka proceduar penalisht drejtorëshën e kopshtit dhe mjeken pediatre të spitalit të Korçës e cila nuk raportoi rastin në polici.
Të dyja akuzohen për shpërdorim detyre.



