Për dallim nga të gjitha partitë e tjera politike të cilat këto ditë janë solidarizuar me Televizionin Shenja dhe kanë dënuar kërcënimet ndaj ekipit tonë, BDI është partia e vetme e cila ka ironizuar me këtë rast. Duke mos u distancuar në asnjë moment nga kërcënuesit të cilët janë prezentuar si aktivistë të BDI-së, Qendra për Komunikim e kësaj partie, në një përgjigje me shkrim dërguar dy ditë pas incidentit, në mënyrë ironike, në vend të agresorëve ka tentuar të atakojë Televizionin SHENJA.
“Dënojmë të gjitha format e kërcënimit ndaj mediave, përfshirë këtu edhe ata që para disa ditëve janë prezentuar si aktivistë të Lëvizjes BESA dhe kanë kërcënuar të angazhuarit në mediumin e BDI-së, faqën zyrtare BDI.mk. Mediumet duhet të lihen të lira qofshin partiake apo të pavarura”, thuhet në përgjigjen me shkrim të BDI-së. Më herët, ka pasur shumë raste të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve dhe mediave në vend, por asnjë parti politike deri më tani nuk ka sulmuar ose ironizuar gazetarët dhe mediumin dhe nuk ka dalë në asnjë formë në mbrojtje të kërcënusve.

