Zgjidhja e problemit me transportin publik në Shkup mbetet enigmë për mediat dhe qytetarët. Derisa mijëra banorë të kryeqytetit për çdo ditë, më shumë se tetë muaj, presin me orë të tëra autobus nëpër shi, të ftohtë, borë ose edhe temperatura të larta, nga Qyteti i Shkupit janë të pakapshëm.
“Derisa zgjat problemi me transportin publik në Qytetin e Shkupit, nga vetë qyteti i Shkupit janë thuajse tërësisht jo transparent dhe të mbyllur për të dhënë përgjigje ndaj gazetarëve se deri ku janë procedurat për zgjidhjen e transportit publik”, raporton Mefail Ismaili, gazetar.
Për dy ditë radhazi, nga Qyteti i Shkupit janë të pakapshëm, si përfaqësuesit e kabinetit, ashtu edhe vetë kryetarja Danella Arsovska.
Por së fundmi të pakapshëm për mediat janë edhe vetë transportuesit privat të cilët, duhet të fillojnë me punë dhe tu shërbejnë qytetarëve. Vitin e kaluar, kur Qyteti i Shkupit ndërpreu bashkëpunimin me ta, ndërsa kryetarja Danella Arsovska nuk i pranonte as në bisedë, transportuesit privat vazhdimisht ishin të kapshëm dhe aktiv në media, ndërsa javët e fundit thuajse janë plotësisht të paarritshëm, madje duke i fikur dhe telefonat.
Rreth tetë muaj më parë, në tetor të vitit të kaluar, transportuesit privat ndërprenë së qarkulluari në rrugët e kryeqytetit, për shkak të borxhit prej rreth 2 milionë euro. Kryetarja e qytetit të Shkupit, Danella Arsovska nuk pranonte se ka borxh ndaj transportuesve, madje as nuk i pranonte ato në takime për të biseduar për zgjidhjen e problemit. Për këtë arsye, transportuesit dolën në protestë dhe nxorën në rrugë mbi 100 autobusë me të cilët punonin. Pas mospërfilljes nga kreu i Qytetit të Shkupit, ata kërkuan ndihmë dhe takim edhe me kryeministrin, gjë e cila nuk ndodhi. Në ndërkohë qyteti hapi dy thirrje për të zëvendësuare transportuesit privat aktual me të tjerë, por ata dështuan.
Në muajin shkurt, Arsovska pranoi në takim transportuesit dhe u deklarua nga të dy palët se zgjidhje u gjet dhe së shpejti do të fillojnë punën autobusët privat. Atëherë transportuesit privat themeluan organe të reja drejtuese dhe u hap thirrja e tretë ku aplikuan, por përsëri dështoi, për shkak se siç thonë të dy palët, në aplikim ka pasur mungesë të disa dokumenteve. Për në shumë se një muaj më parë u hap edhe thirrja e katërt, e cila siç thanë, është mbyllur me të gjitha procedurat e rregullta, por rezultatet nga e gjithë kjo procedurë nuk dalin në shesh. E derisa nga njëra anë heshtë kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska dhe nga ana tjetër transportuesit privatë, janë qytetarët ata që më së shumti pësojnë. /Alsat.mk