Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, njoftoi se Departamenti për kontroll të brendshëm pranë MPB-së, nuk ka konstatuar shkelje të procedurave operative në kuadër të policisë, për policin e Kumanovës I cili hoqi flamurin shqiptar në Ditën e Flamurit.
Sic mund të shihej në videon e publikuar më 28 nëntor, polici kishte shfrytëzuar furgonin policor për të hequr flamurin shqiptar.
PANÇE TOSHKOVSKI – MINISTËR I BRENDSHËM
“U hapën hetime nga Departamenti për kontroll të brendshëm. Në suaza të veprimeve të konstatuara, nuk është konstatuar se ai ka shkelur procedurat në kuadër të MPB-së. Më detajisht do ta shohim më tutje. Me këtë procedura për policin mbyllet”
BDI vendimin për të mbyllur rastin, e ka quajtur akt të turpshëm, ku sic thonë, legalizohet diskriminimi ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe tregon dështimin total të institucioneve për të mbrojtur dinjitetin e shqiptarëve dhe për të garantuar respektimin e të drejtave themelore.
BDI
Përgjegjësia për këtë situatë nuk mbetet vetëm tek hakmareja etnike apo tek ministri Pançe Toçkovski, por edhe tek përfaqësuesit shqiptarë brenda qeverisë, të cilët me manipulimet e tyre të vazhdueshme dhe premtimet e rreme kanë tradhtuar interesat e shqiptarëve. Zëvendësministri dhe përfaqësuesit shqiptarë të zgjedhur nga VMRO-DPMNE, që sot janë pjesë e kësaj qeverie kanë treguar paaftësi totale për të përfaqësuar dhe mbrojtur komunitetin e tyre, duke u bërë garantues të padrejtësisë dhe diskriminimit.Heshtja e tyre përballë këtij akti dhe shumë veprimeve të tjera diskriminuese është një turp i madh dhe një tradhti ndaj interesave kombëtare të shqiptarëve.
Ndryshe, disa ditë pas ngjarjes, Zv/Kryeministri, Izet Mexhiti, potencoi se masat e njëjta që ishin ndërmarrë ndaj atyre që përdhosën flamurin maqedonas, do të ndërmerren edhe për ata që përdhosën flamurin shqiptar. Atëherë u kërkuan masa dispilinore edhe për policin nga Kumanova.
Asokohe dhe Zv/Ministri i Brendshëm, Astrit Iseni, në profilin e tij në Facebook, njoftoi se do të ketë masa disiplinore kundër këtij polici. /tvklan.mk