Alsat 2019-10-29T15:43:57+01:00
Ministria e Arsimit dhe Sindikata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë nuk gjetën gjuhë të përbashkët për të rritur pagat e punonjësve në arsim më shumë se 10 %. Palët megjithatë u dakorduan për vazhdimin e takimeve deri në gjetjen e një zgjidhje të pranueshme. Ministri I Arsimit, Ademi edhe një herë përsëriti se greva e paralajmëruar nga SASHK-u është e panevojshme, prandaj sipas tij, do të shqyrtohen të gjitha opsionet për mos aktivizimin e saj.
Sa I përket ngritjes së pagave, fatkeqësisht sot nuk kemi arritur marrëveshje mirëpo vazhdojnë takimet tona. Ne, SASHK-un e konsiderojmë si një partner serioz, si një partner konstruktiv me të cilët kemi një dialog social solid dhe se ky dialog duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen për arsye se nuk jemi armiq po përkundrazi kemi një qëllim të përbashkët që të përmirësojmë gjendjen në arsim. Sot, gjatë takimit kemi shqyrtuar më tepër opsione, më tepër modalitete, më tepër alternative se si të evitohet organizimi i grevës. Takim të radhës do të ketë deri në fund të javës përsëri- deklaroi Arbër Ademi, ministër i Arsimit.
Kreu I SASHK-ut, Jakim Nedellkov përveç rritjes së pagave më shumë se 10 % tha se masa duhet të zbatohet nga janari dhe jo nga muaji prill siç kishte paralajmëruar Qeveria.
Bindjet tona janë se ministri dhe Qeveria do të përpiqen maksimalisht ti plotësojnë kërkesat e SASHK-ut dhe do të dalin me propozim që do të jetë I pranueshëm nga SASHK-u. Në të kundërtën, ne do ti shfrytëzojmë të gjitha mjetet tona, mjetet sindikaliste dhe ajo nuk është më sekrete, është e paraparë , dhe do të jemi të detyruar që të drejtat tona ti kërkojmë dhe ti realizojmë përmes grevës së përgjithshme të paralajmëruar- deklaroi Jakim Nedellkov, kryetar I SASHK-ut.
Në takimin e fundit të SASHK-ut, anëtarët njëzëri refuzuan propozimin e Qeverisë për rritje të pagave prej 10% duke I dhënë afat MASH-it që deri më 10 nëntor të pranojë kërkesën, në të kundërtën më 11 nëntor do të hyjnë në grevë të përgjithshme. SASHK-u kërkon gjithashtu ndryshimin dhe plotësimin e kontratave kolektive për arsimin fillor dhe të mesëm, regres për pushim vjetor, kompensim për transportin e mësimdhënësve, pagesë për orët shtesë mësimore, revidim i pagesës së orëve për mësim të kombinuar, përgatitjen dhe nënshkrimin kontratave kolektive për arsimit të lartë dhe shkencë, e cila do të fillonte zbatimin nga 1 janari i vitit 2020
Melihate Rustemi
Loading…




