18 April
Ish kryeministri suedez dhe shef i diplomacisë Karl Bild gjatë vizitës në Shkup u njoh nga afër më krizën politike në vend. Bild zhvilloi takime me liderët e partive politike të shumicës së re parlamentare. Duke mos dashur të komentojë në detaje, Bild tha se rruga për dalje nga kriza kalon përmes respektimit të Kushtetutës dhe proceseve demokratike.
Ju kishit zgjedhje, keni Kushtetutën si çdo shtet evropian. Ndonjëherë mund të ketë probleme, por ndjekeni Kushtetutën dhe praktikat demokratike. Kjo është mënyra e vetme se si zgjidhen problemet në demokracinë Evropiane. Jam i njoftuar me çështjen e njohur të emrit por edhe çështjet tjera si standardet demokratike. Kjo është e tëra nëse dëshironi të jeni pjesë e BE-së – deklaroi diplomati Karl Bild, ish kryministër i Suedisë.
Bild mes tjerash tha se nuk ka qenë i interesuar të takojë Presidentin Gjorge Ivanov.
Nuk mund të thoni se ai ka refuzuar të takohet me mua, por thënë sinqerisht ne nuk jemi të interesuar aspak ta takojmë atë. Kemi shumë takime të tjera primare me forcat politike dhe nuk jemi këtu për ta takuar Presidentin – precizoi Karl Bild.
I pari me Bild u takua lideri i LSDM-së Zoran Zaev i cili mes tjerash ka njoftuar ish kryeministrin suedez për planet e shumicës së re për të zhbllokuar punën e Kuvendit.
Shumica parlamentare e ka marr përgjegjësinë për të zhbllokuar procesin demokratik në Kuvend sipas rregullores, Kushtetutës dhe ligjeve. Shpejt do të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit dhe më pas Qeveria e reformave. Ky është vendimi i shumicës së qytetarëve nga zgjedhjet kredibile dhe të gjitha institucionet vendase janë të obliguara të sigurojnë transferim të qetë të pushtetit – deklaroi Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.
Pas Zaevit, Bild në takim u prit nga kreu i BDI-së Ali Ahmeti i cili si asnjëherë deri më tani shprehu gatishmërinë që partia e tij të ndihmojë shumicën e re parlamentare që të zhbllokojnë punën e Kuvendit.
Për çdo veprim që çon drejtë konstituimit të Kuvendit konform rregulloreve, ligjeve dhe Kushtetutës së vendit. Nuk ka deri më tani komunikim të drejtpërdrejtë për të thirrur takim liderësh – deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Me ish diplomatin Bild u takuan edhe përfaqësuesit e Lëvizjes Besa. Në mungesë të kreut të kësaj partie Bilall Kasami, deputeti Afrim Gashi, pas takimit shprehu gatishmërinë e Lëvizjes Besa për të mbështetur çdo iniciativë të shumicës së re parlamentare.
Ne kemi thënë se procesin do ta ndihmojmë dhe gjithçka që është në drejtim të zgjidhjes së krizës dhe formimin e institucioneve do të jemi aty – deklaroi Afrim Gashi, deputet i Lëvizjes Besa.
Nuk ka informacione nëse Bild ka takuar edhe kreun e VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski. As nga partia e Gruevskit nuk njoftuan nëse është realizuar takim ose jo. Gjatë ditës ish kryeministri Gruevski u pa në Kuvend, ndërsa pas takimit me Lëvizjen Besa nuk mohohet që Gruevski dhe Bild të takohen larg syve të opinionit. Karl Bild është përfaqësuesi i katërt diplomatik i cili pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit të vitit të kaluar viziton Maqedoninë.
Adrian Kerimi

