Trotuaret dhe një pjesë e rrugëve të bllokuara nga mbeturinat janë bërë tashmë pamja e zakonshme në thuajse gjithë qytetin e Shkupit. Situata është veçanërisht shqetësuese në rrugën “Xhon Kenedi” të Komunës së Çairit, ku mbeturinat shpërndahen edhe në sipërfaqet e gjelbra dhe pranë hyrjeve të objekteve të banimit. Qytetarët shprehen të revoltuar. Thonë se ankesat e tyre nuk përfillen dhe se bakteret e infeksionet rrezikojnë çdo ditë shëndetin e tyre.
Anketë me qytetar
“Nuk mund të bëjmë asgjë. Këtë punë duhet ta kryejnë ata që paguhen për këtë. Këtu janë bakteret, këtu janë viruset që mund të prekin njerëzit. Të gjithë e shohim dhe asgjë nuk mund të bëjmë. Askush nuk na dëgjon”.
“Unë 72 vjet i kam, këtë kurrë nuk e kam përjetuar. Kjo është…si ta them, Bangladeshi që është Bangladesh ne ja kemi kalu. Zoti na ndihmoftë ama duhet me punu, nuk punojnë. Kontejnerët plot aty, era vjen, fat që nuk është vera, sikur të ishte vera ne duhej të iknim diku në mal. Jo vetëm trotuari, gjysma e rrugës është me mbeturina”.
Një pjesë e qytetarëve vlerësojnë se për shkak të inateve politike pësojnë qytetarët. Për gjendjen e krijuar me mbeturinat tashmë raportojnë edhe mediat e shteteve të huaja, tha një mysafir nga Gjermania.
“Katastrofë është kjo, nuk e mbaj mend se ka qenë kështu, shumë keq është, pamja është shumë e keqe. Madje edhe në Gjermani e shohim këtë, edhe gjermanët ankohen, thonë është katastrofë”.
“Ne që jetojmë këtu a vazhdimisht duhet të jetojmë me mbeturina. Kurrë nuk ka qenë kështu sepse politika përzihet në përditshmërinë. Jeta është e këtillë, mizore. Në llogari të politikës pësojnë qytetarët e thjeshtë”.
Nga Higjiena Komunale informojnë se gjatë dy ditëve të fundit janë pastruar mbeturinat në disa lokacione të Shkupit ku janë tërhequr mbi 350 ton mbetje komunale./Alsat.mk


