Përderisa ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, mburrej në televizion se falë sistemit “Qyteti i Sigurt” ka pasur një rënie të madhe të numrit të viktimave në aksidentet rrugore, një pjesë e banorëve të lagjes Butel po ktheheshin në shtëpi nga protesta, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.
Pas përplasjes së një fëmije në rrugën ku banojnë, banorët e Butelit bllokuan qarkullimin duke kërkuar prani më të madhe policore dhe ndalimin e vozitjes së pakontrolluar të makinave. Në pjesën e tyre të rrugës “Butelska” nuk janë instaluar kamera të sistemit “Qyteti i Sigurt”. Kamerat më të afërta ndodhen gjysmë kilometri më poshtë, në drejtim të Çairit, kështu që shoferët shpesh i ngasin makinat me shpejtësi të madhe, duke e ditur se nuk do të kapen nga sistemi dhe nuk do të gjobiten.
Disa muaj pas lëshimit zyrtar të projektit “Qyteti i Sigurt”, redaksia e BIRN-it analizoi rezultatet e arritura, por edhe problemet me të cilat përballet ky sistem, i cili u shpall si mjeti kryesor për rregullimin e kaosit në rrugë, që çdo vit merr më shumë se 100 jetë njerëzish. Komisioni Evropian tashmë e ka paralajmëruar Maqedoninë e Veriut për këtë situatë në raportet e rregullta të progresit. Vitin e kaluar, në vend u regjistruan 72 viktima për një milion banorë nga aksidentet rrugore, që është një mesatare dukshëm më e lartë se ajo e BE-së (43 viktima për 1 milion banorë).
Ndonëse rezultatet fillestare të sistemit “Qyteti i Sigurt” flasin për ndryshime pozitive, të dhënat për tre muajt e parë të funksionimit zyrtar tregojnë se në Shkup ky projekt nuk ka ndikuar shumë në zvogëlimin e numrit të të vdekurve në komunikacion. Ndërkohë, problemet teknike e vërshuan me ankesa Gjykatën e Shkupit, pasi gjobat po u arrijnë edhe automjeteve që janë të privilegjuara me ligj, e të cilat pastaj duhet të fshihen manualisht.
“Kjo nuk mund të jetë një zgjidhje e menjëhershme. Nuk ka mund t’ia lëmë gjithçka vetëm kamerave dhe “Qytetit të Sigurt”.” Kamerat janë një mjet në duart e Ministrisë së Punëve të Brendshme që duhet të zëvendësojë një pjesë të detyrave të punonjësve të policisë, por nuk mund të mbulojnë gjithçka. Ata duhet të jenë të pranishëm në terren, sidomos policët për ato vepra penale që nuk zbulohen nga sistemi”, thotë Dejan Trpevski, inxhinier i komunikacionit rrugor dhe ekspert ligjor i cili i ndjek proceset e reja.
Më pak aksidente, rrezik i njëjtë
Statistikat e sistemit “Qyteti i Sigurt” në Shkup nga MPB për tre muajt e parë pas lëshimit zyrtar thonë se në muajin prill nuk kishte pasur asnjë viktimë në kryeqytet.
Mirëpo, në muajin maj gjendja ndryshoi drastikisht, kur tre 20-vjeçarë dhe babai i njërit prej tyre humbën jetën në një aksident të tmerrshëm në qarkoren e Shkupit. Në një tjetër aksident, jetën e humbi një motoçiklist 19-vjeçar, i cili u përplas nga një shofer i dehur dhe nën efektin e drogës.
Statistikat për periudhën nga muaji shkurt deri në prill nuk tregojnë një trend të rënies së numrit të viktimave në kryeqytet, krahasuar me të njëjtën periudhë të tre viteve të fundit. Prandaj, siç shpjegon Dejan Trpevski, është shumë herët për të nxjerrë konkluzione të nxituara rreth numrit të jetëve të shpëtuara. Këtë vit, për shembull, në tre muajt e parë që nga lëshimi zyrtar i projektit “Qyteti i Sigurt” në Shkup u regjistruan katër viktima, ndërsa para dy vitesh ishin regjistruar tre. Edhe më parë ka pasur muaj pa asnjë të vdekur, por kjo jo gjithmonë ka ndikuar në uljen e mesatares vjetore.
Ajo që tani është konkrete dhe e dukshme mbetet numri i zvogëluar i aksidenteve rrugore në kryeqytet, krahasuar me muajt paraprakë.
“Për tre muajt e parë rezultatet janë inkurajuese. Numri i aksidenteve rrugore po bie, jo në mënyrë drastike, por ka një rënie të konsiderueshme”, thotë Trpevski.
Këtë gjë e kanë vënë re edhe qytetarët. Ata u shprehën se lëvizja me makina nëpër Shkup është bërë më e qetë dhe se shoferët ndalojnë më shumë në semaforët e kuq dhe në kalimet për këmbësorë, ndonëse kamerat ende nuk e regjistrojnë këtë shkelje të fundit.
Për momentin, sistemi dërgon gjoba vetëm për tri lloje shkeljesh: tejkalim të shpejtësisë, kalim në semafor të kuq dhe drejtim të automjetit të paregjistruar. Numri më i madh i gjobave është përshkruar për vozitje me shpejtësi mbi 50 km/orë, ndërsa ndryshim më drastik ka në kalimin në semafor të kuq – 175 gjoba në muajin shkurt, ndërsa në muajt në vijim numri i tyre ka rënë nën 50.
Pritshmëritë janë se instalimi i më shumë kamerave, të cilat do të regjistrojnë edhe më shumë lloje shkeljesh, do të sjellë rezultate më të mira. Nga MPB-ja tashmë kanë njoftuar për një përmirësim të sistemit, por pa dhënë një afat të saktë kohor.


