Shumë ekonomistë paralajmërojnë se sistemi pensional në Maqedoninë e Veriut mund të përballet me vështirësi të mëdha pas vitit 2035 për shkak të disa trendeve demografike dhe ekonomike, shkruan Gazeta Flaka.
Popullsia po plaket shpejt, numri i lindjeve është në rënie dhe jetëgjatësia po rritet. Kjo do të thotë më shumë pensionistë dhe më pak punonjës që paguajnë kontribute.
Sistemi aktual bazohet në modelin solidar të menaxhuar nga Fondi për Sigurim Pensional dhe Invalidor i Maqedonisë së Veriut, ku punonjësit e sotëm financojnë pensionet e pensionistëve aktualë. Kur raporti punonjës–pensionist përkeqësohet, sistemi bëhet më i vështirë për t’u financuar.
Dikur raporti ishte afërsisht 3 punonjës për 1 pensionist, sot është rreth 1.7 punonjës për 1 pensionist. Nëse trendi vazhdon, mund të arrijë 1 me 1, çka është jashtëzakonisht sfiduese financiarisht.
Fondi tashmë merr subvencione të mëdha nga buxheti i shtetit çdo vit. Nëse numri i pensionistëve rritet më shumë se ekonomia, shteti mund të përballet me zgjedhje të vështira: rritje taksash, rritje të moshës së pensionit ose ulje relative të pensioneve.
Sipas të dhënave të Fondit, në vitin 2025 ka rreth 346,000 pensionistë dhe 556,000 persona të siguruar që paguajnë kontribute – pra rreth 1.6 punonjës financojnë 1 pensionist. Ekonomistët konsiderojnë se për një sistem të qëndrueshëm duhet të ketë të paktën 3 punonjës për 1 pensionist.
Numri i pensionistëve ka rritur me gati 50,000 në vetëm një dekadë. Sistemi nuk mbulohet vetëm nga kontributet; shteti duhet të shtojë çdo vit mbi 600 milionë euro nga buxheti për të mbuluar pensionet – një nga shpenzimet më të mëdha të buxhetit shtetëror.
Në Maqedoninë e Veriut pensioni minimal është rreth 13–15 mijë denarë, ndërsa pensioni maksimal mund të arrijë 60 mijë denarë ose më shumë. Pensioni mesatar është rreth 20–22 mijë denarë.
Aktualisht, mosha e pensionimit është 64 vjeç për burrat dhe 62 vjeç për gratë, me minimum 15 vite stazh pune.
Shumë qytetarë janë të pakënaqur me sistemin për shkak të uljes së pensioneve, qëndrueshmërisë së fondit dhe padrejtësive mes gjeneratave. Edhe pse kontributi pensional është 18.8% e pagës bruto, pensionet shpesh janë më të ulëta se kostoja e jetesës.
Fondi shpesh ka mungesë parash për shkak të rritjes së numrit të pensionistëve, moszgjerimit të numrit të punonjësve që kontribuojnë dhe emigrimit të të rinjve. Buxheti i shtetit duhet ta subvencionojë fondin çdo vit për të garantuar pagesën e pensioneve. Gazeta Flaka


