Presidentja Gordana Siljanovska Davkova në një bisedë telefonike ia ka uruar fitoren në zgjedhjet parlamentare ish presidentit të Bullgarisë tani lider i Bullgarisë Progresive, Rumen Radev, duke theksuar se nga qeveria e re bullgare pret një qëndrim konstruktiv dhe mirëkuptim për nevojën e zgjerimit.
“Sigurisht. E urova, i dërgova mesazh. Dhe pastaj më telefonoi. Biseduam. I urova sukses, shpreha bindjen time se meqenëse mori një shumicë kaq të lartë, kjo është një garanci stabiliteti, se populli bullgar, qytetarët bullgarë ndoshta njohën tek ai një element të qëndrueshëm të shtetit dhe kombit, se ai ndoshta do të jetë në gjendje të formojë lehtësisht qeverinë dhe të zbatojë programin e tij”, tha presidentja në deklaratën për mediat sot në Kuvend, në margjinat e Konferencës së XX-të të kryetarëve/spikerëve të Parlamenteve të Iniciativës Adriatiko-Joniane.
Siljanovska-Davkova theksoi se shumica dhe stabiliteti janë gjithashtu të rëndësishme edhe për ne sepse, siç theksoi ajo, “do të kemi me kë të flasim”.
“Theksova se për mua qasja rajonale është e rëndësishme, se pres marrëdhënie miqësore, marrëdhënie konstruktive, mirëkuptim të nevojës për zgjerim. Pres, sigurisht organizim të një takimi”, tha presidentja Siljanovska-Davkova. Radevi fitoi shumicën absolute të deputetëve në zgjedhjet parlamentare të së dielës në Bullgari.


