Presidentja Gordana Siljanovska Davkova, e cila e kryeson delegacionin e Maqedonisë së Veriut në Asamblenë e 79-të të Përgjithshme të KB-së, sot duhet të flasë në Samitin e së Ardhmes në temë “Zgjidhje shumëpalëshe për të nesërme më të mirë” me pjesëmarrje të shefave të shteteve dhe qeverive.
Qëllimi i Samitit të së ardhmes është që shtetet anëtare ta risin bashkëpunimin ndërmjet veti i cili, siç theksohet, është gjithnjë e më i rëndësishëm për mbijetesën njerëzore, por është vështirë të arrihet në atmosferën e mosbesimit, duke shfrytëzuar struktura të vjetërsuara të cilat më nuk i reflektojnë realitetet e sotme politike dhe ekonomike.
Në Samit vendet anëtare duhet të miratojnë Paktin e së ardhmes, por, sipas burimeve diplomatike, është e pasigurt nëse dokumenti do të miratohet sot për shkak të mospajtimit me disa pjesë të përmbajtjes së tij nga ana e Rusisë dhe edhe gjashtë vendeve të tjera, informon raportuesi i MIA-s nga Nju Jorku. Bisedimet për përmbajtjen e dokumentit vazhduan edhe gjatë natës, kështu që nuk dihet se çka do të ndodhë sot në këtë tubim të madh që po mbahet në KB.
Në fokus të Draft-paktit janë të drejtat e njeriut, gjinia dhe zhvillimi i qëndrueshëm në të gjithë kapitujt. Përmban kapituj për zhvillim të qëndrueshëm dhe financim për zhvillim paqe dhe siguri ndërkombëtare, shkencë, teknologji dhe inovacione dhe bashkëpunim digjital, të rinjtë dhe gjeneratat e ardhshme dhe transformim të sundimit global. Mes tjerash, kërkohet që vendet anëtare të pajtohen edhe për reforma që kanë të bëjnë me Këshillin e Sigurisë, por kjo sipas gjitha gjasave nuk do të ndodhë.
Me dokumentin, vendet duhet të angazhohen dhe të bashkëpunojnë për të mbrojtur më mirë civilët në konfliktet e armatosura dhe të mbajnë përgjegjësi për krimet dhe dhunën e kryer, si dhuna në bazë gjinore dhe uria si armë lufte. Pastaj për rritjen e ndihmës humanitare, duke përfshirë eliminimin e urisë. Për ta bërë botën në mënyrë të matshme më afër të qenit pa armë bërthamore. Theksohet nevoja për përpjekje për çarmatimin dhe kontrollin e armëve, përfshirë në lidhje me armët pa dallim, armët biologjike dhe kimike dhe armët e vogla. Gjithashtu të angazhohemi për rigjallërimin e rolit të KB-së në fushën e çarmatimit dhe përparimin drejt sesionit të katërt special të Asamblesë së Përgjithshme për çarmatimin. Të merren masa për bashkërendimin e kërcënimeve biologjike, natyrore dhe të qëllimshme. Përdorimi real dhe i përgjegjshëm i operacioneve paqeruajtëse dhe e ardhmja e tyre për të siguruar që ato të mund të plotësojnë nevojat aktuale.
Lidhur me paqen dhe sigurinë ndërkombëtare në dokument theksohet nevoja e azhurnimit të sistemit për siguri kolektive për parandalim më të mirë, menaxhim dhe zgjidhje të konflikteve. Përdorim më i madh i diplomacisë parandaluese dhe mekanizmave për ndërmjetësim, duke përfshirë edhe funksionet e sekretariatit të përgjithshëm, që të parandalohet konfrontimi mes vendeve anëtare
Në dokument janë përfshirë mbrojtja e grave, përballja me terrorizmin, ndryshimet klimatike dhe mbrojtja e mjedisit jetësor, shkenca, digjitalizimi dhe teknologjitë e reja, të rinjtë, e ardhmja e tyre dhe pjesëmarrja në vendimmarrje..
Në Samit duhet të miratohen edhe Deklarata për gjeneratat e ardhshme dhe Marrëveshja Digjitale Globale.
Sekretari i përgjithshëm i KB-së, Antonio Guteresh bëri thirrje për reforma ambicioze në Kombet e Bashkuara dhe organizatat e tjera ndërkombëtare që ta bëjnë bashkësinë ndërkombëtare më të aftë që të veprojë në kushte të shumë krizave dhe luftërave dhe ta bëjë botën më të drejtë.
Java në Kombet e Bashkuara në Nju Jork është nën hije të sigurimit të shtuar policor për shkak të pranisë së një numri të madh të burrështetasve dhe pjesëmarrësve në Samitin e së Ardhmes dhe të Asamblesë së Përgjithshme të KB-së, por edhe një numri të madh të turistëve të cilët e vizitojnë këtë metropol.
Presidentja Siljanovska Davkova të enjten është paraparë të flasë në Debatin e Përgjithshëm të sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të KB-së, që mbahet në temën “Duke mos lënë askënd pas: duke vepruar bashkë për avancimin e paqes, zhvillimit të qëndrueshëm dhe dinjitetit njerëzor për gjeneratat e tashme dhe të ardhshme”.
Presidentja do të marrë pjesë edhe në Takimin Vjetor të Platformës së Grave – lidere të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, me temë “Pjesëmarrja e barabartë e grave në procesin e vendimmarrjes: sigurimi i paqes, mundësive socio-ekonomike, zhvillimi i qëndrueshëm dhe dinjiteti njerëzor për gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme”, ndërsa me ftesë të presidentit të SHBA-së, Xho Bajden do të marrë pjesë në një takim me temën “Koalicioni global për të përballje me kërcënimin nga drogat sintetike”.
Në përbërje të delegacioni shtetëror të Maqedonisë së Veriut janë ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski dhe zëvendëskryeministri dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësnor, Izet Mexhiti. Edhe Mucunski edhe Mexhiti do të kenë fjalime të tyre në javën e Kombeve të Bashkuara, ndërsa përfaqësuesit tanë do të mbajnë edhe takime të përbashkëta dhe të ndara dypalëshe me liderë të vendeve të tjera.
Siljanovska Davkova, Mucunski dhe Mexhiti dje pasdite sipas kohës amerikane në xhaminë në qytetin Friholld, Nju Xhersi patën takime me qytetarë tanë të cilët jetojnë në këtë pjesë të SHBA-së, të cilët kanë origjinë kryesisht nga Dibra dhe rrethina.
Siljanovska Davkova tha se po vjen koha kur gjërat do të ndryshojnë dhe se duhet të jetë ashtu.
“Jam krenare që në të njëjtën ditë isha në kishë dhe tani në xhami dhe porosia është e qartë, ajo që na duhet është të kuptojmë njëri-tjetrin, të respektojmë fenë tonë dhe gjithashtu të bashkëpunojmë. Porositë e Kuranit dhe të Biblës janë në fakt të njëjta. Baza e etikës dhe moralit janë aty. Unë jam këtu për herë të parë, por nuk do të jetë e fundit”, tha presidentja.
Zëvendëskryeministri Mexhiti tha se porositë të cilat i tha Siljanovska Davkova janë të njëjta për të gjithë, por dallon interpretimi. “Së pari ishim në kishë, ndërsa tani jemi në qendrën islamike të dibranëve. Për fat të keq, ka më shumë dibranë në Nju Jork se sa në Dibër”, tha Mexhiti.
Hoxha Omer Kadri, me origjinë nga Dibra, tha se kjo është vizitë historike sepse deri më tani asnjë president dhe përfaqësues shtetëror nuk i ka vizituar në xhami, e cila gjithashtu është edhe qendër e qytetarëve.
Hoxha Kadri theksoi edhe donacionet dhe ndihmën të cilën e japin ata për vendin amë siç është rinovimi i spitalit të Dibrës.
Gjithashtu tha edhe se në Friholld, ku gjendet kjo xhami, kanë takime mujore me përfaqësues të të gjitha grupeve religjioze të cilët jetojnë në këtë pjesë të Nju Xhersit.
Paraprakisht, Siljanovska Davkova ishte në liturgji me rastin e Shën Mërisë në kishën “Shën Nikolla” në Totovë, Nju Xhersi, ndërsa pastaj bashkë me zëvendëskryeministrin Mexhiti realizoi takim me qytetarët tanë të cilët jetojnë në qytet dhe rrethinë.