Maqedonia e Veriut është e gatshme për dialog me Bullgarinë me qëllim tejkalimin e kontestit dypalësh, por kërkon parashikueshmëri në procesin e integrimit evropian dhe garanci se ndryshimet eventuale kushtetuese nuk do të pasohen nga kushtëzime të reja, deklaroi të martën presidentja Gordana Siljanovska-Davkova.
Duke folur në shënimin e 35-vjetorit të miratimit të Kushtetutës, Siljanovska-Davkova tha se komunikimi me Sofjen mbetet i hapur, ndërsa paralelisht po zhvillohen bisedime me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian për zhbllokimin e rrugës evropiane të vendit.
Ajo theksoi se Shkupi nuk kërkon trajtim të privilegjuar, por rregulla të barabarta, duke paralajmëruar se vendi nuk guxon të gjendet sërish në një situatë ku pas përmbushjes së një kushti pasojnë kërkesa të reja.
“Ne thjesht duam që ky të mos jetë një tjetër ndryshim sa për ndryshim, pas të cilit do të pasojë një i ri. Ne nuk duam të trajtohemi ndryshe nga të tjerët, thjesht duam të dimë se nëse diçka duhet, në thonjëza, të bëhet, ajo nuk do të jetë vetëm një nga shumë e shumë të tjerat,” u shpreh Siljanovska-Davkova. (INA)


