Në Tearcë është vendosur në funksion operacioni “ryshfet i votuesve”, me qëllim zvogëlimin e daljes së votuesve për të cilët është supozuar se do të votojnë për opozitën, kanë bërë me dije nga organizata CIVIL.
Pavarësisht nga tentativat e mediave të caktuara për diskualifikim të informatave të CIVIL për ryshfet të votuesve, më në fund u dëshmuan këto raste edhe me lajmërimin nga MPB, sipas të cilit, për dy persona është ngritur procedurë për këtë vepër.
Vëzhguesit e CIVIL – Qendrës për Liri, jo zyrtarisht kanë marrë informacion se rreth 40 letërnjoftime të votuesve në Tearce janë kthyer gjatë ditës së djeshme në rivotimin në vendvotimin 2011.
Sipas raportimeve të vëzhguesve të CIVIL-Qendrës për Liri, të cilët kanë ndjekur rivotimin në vendvotimin 2011 në Tearcë, anëtarët e Bordit Zgjedhor kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm telefonik.
Në periudhat kur nuk ka pasur votues në vendvotim, ata vazhdimisht e kanë shfletuar dhe e kanë kontrolluar Listën Zgjedhore.
CIVIL publikisht i ka përkujtuar anëtarëve të Bordit Zgjedhor se ndarja e informatave me shtabe partiake dhe mobilizim të votuesve është në kundërshtim me ligjin dhe procedurat zgjedhore, transmetojnë mediet vendase.