Lehtë është të kursehet, por duhet të lejojmë të tjerët të tregojnë se a mund të kursejnë.
Harxhimet familjare si për celular, udhëtime, rryma elektrike, nxemja/uji, veshmbathja, ushqimi, nevojat e fëmijëve, dasmat, blerja kur çmimet janë të larta, blerja e gjërave shtesë, festa të shtrenjta dhe dhurata, etj…, kur grumbullohen, shuma totale e kursyer në muaj arrin shumë pak, por edhe aspak për ata që kanë paga të ulta.
Sipas një analize nga instituti “Finance Think”, thuhet se rreth gjysma e të punësuarve në Maqedoni marrin pagë më të ulët se 12 mijë denarë.
“43 për qind e të punësuarve në Maqedoni marrin paga më të vogla se 12 mijë denarë, vetëm 8 për qind marrin paga më të mëdha se 25 mijë denarë, ndërsa gjysma e të punësuarve marrin paga prej 12 deri 25 mijë denarë”,thuhet në analizën e Institutit “Finance Think”.
Ndërsa, sipas ekonomistëve kjo shumë e pagave nuk korespondon me harxhimet e nevojave elementare, që i duhet një qytetari të këtij vendi.
Ekonomistët shtojnë se si rrjedhojë e rritjes së kostos së jetesës, që nuk përcillet nga rritja e pagave, kemi edhe trendin e rritjes së borxhit të qytetarëve ndaj bankave prej 1 miliardë e 964 milion euro në dhjetor të vitit 2015, në mbi 2 miliardë euro në vitin 2017. Sipas të dhënave të fundit të Bankës Popullore për muajin korrik, qytetarët kanë borxh në banka 2 miliardë e 230 milionë euro. Me fjalë të tjera, çdo qytetar i Maqedonisë ka në mesatare një borxh prej më shumë se 1000 euro në bankat komerciale. Kjo do të thotë se çdo qytetar ka borxh prej gati dy paga e gjysmë mesatare ndaj bankave. Nga ana tjetër, të dhënat tregojnë se në strukturën e kredive të amvisërive dominojnë kreditë konsumatore dhe borxhet për mbulimin e nevojave themelore rrjedhëse përmes kartelave kreditore, si rrjedhojë e rritjes së kostos së jetesës që nuk ndiqet nga rritja e pagave.
Qytetarët thonë se më shumë harxhojnë se sa fitojnë. Por, kanë nga ato që bëjnë përpjekje për të kursyer, që më vonë të investojnë në diçka të vlefshme.
“Kur e marr rogën, në fillim ndaj 5 përqind e mandej pjesën tjetër e ndaj për ushqim, fatura, etj”, thotë Mimoza, për Almakos.
Ndërsa, një qytetar tjetër thotë se përshkak të harxhimeve të larta, që kërkon jeta, ai ka zgjedhur të shfrytëzojë transportin public dhe ta lë menjëanë makinën.
“Fillova të shfrytëzoj transportin publik, në këtë mënyrë kursej derivate, për veturën time”, tha Arimi, për Almakos.
Rezearta thotë se blen tesha pasi ikën sezoni. “Për dimër blej në pranverë, kurse për verë në stinën e vjeshtës – kur ka zbritje të mëdha”.
Shumë nga qytetarët e Maqedonisë hyjnë në borxh që të kthejnë borxhet e vjetra, ose ‘paranë e huaj’ e shfrytëzojnë që të paguajnë nevojat themelore të jetesës, si të konsumit të përditshëm, ashtu edhe pagesës së taksave komunale. Të ardhurat e rregullta mujore nuk mund t’i mbulojnë nevojat themelore e jetesës për çdo muaj. Qytetarët e kanë zgjedhur rrugën më të lehtë që të marrin kredi konsumatore, që të kenë më shumë para në dorë, por nga paga e tyre u minusohet një shumë e kredimarrjes. Në përgjithësi, , qytetarët e Maqedonisë mbijetojnë duke punuar, punë të tjera si: sezonale, punë në të zezë, ndihmohen nga familjarët jashtë shteti, fitojnë nga puna bujqësore ose artizanati, etj.
D.Kërluku
Almakos.com

