Se çfarë kanë kërkuar maunat me traga të Iranit në lokacionin ku është ngritur rafineria ilegale ende mbetet enigmë.
Përderisa investitori pranoi që ka bashkëpunim me kompani iraniane për tregtimin e vajrave motorike, Drejtoria e Doganave nuk dha detaje se me çfarë leje kanë vepruar, shkruan Alsat.
Gjatë gjithë ditës drejtoresha Sllavica Kutirov nuk doli para kamerave, madje nuk u përgjigjën as me shkrim. Ndërkohë, pranvera është vonuar në fshatin Kostërnik, ku gjendet uzina për riciklimin e vajrave të djegura.
“Duke e ditur se në zonën industriale të Kumanovës nuk lejohet veprimtaria e përpunimit të vajrave të djegura, investitori vendosi që të vënë themelin e një objekti pa leje në vendbanimin e fshatit Kostërnik për përpunimin e vajrave të djegura, por që është i vetmi i këtij lloji në vendin tonë”, raporton gazetari i Alsat, Adnan Qaili.
Banorët thonë se kjo uzinë rrezikon seriozisht shëndetin e tyre dhe kanë nisur tashmë t’i ndjejnë pasojat. Mësuesi i shkollës së fshatit Femi Xhaferi thotë se nuk mund të kryej aktivitetet edukativo-arsimore.
“Fëmijët nuk mund të dalin jashtë, ora e edukatës fizike nuk mund të mbahet, dritaret nuk mund të hapen edhe pse është e preferuar për ajrosje gjatë pandemisë nga era e padurueshme. Ndikoi te njerëzit, më vonë do të ndikoj edhe te bimësia, prej asaj që ushqehemi dhe do të kemi pasoja të rënda kancerogjene”, tha Femi Xhaferi, Arsmitar.
Banorët thonë se nga tymi dhe era e padurueshme nuk kanë çelur as pemët, nuk mund të mbjellin as kopshtet. Lutja e tyre deri tek autoritetet qendrore dhe lokale është që të heqin plotësisht atë uzinë nga dera e shtëpive.
Ndërkaq nga institucionet përkatëse thonë se pas afatit për shqyrtimin e procesverbaleve të Inspektoratit shtetëror dhe komunal të ambientit jetësor, personit juridik “BASE OIL” dhe investitorit i kanoset padia penale për ndotje të ambientit jetësor në vendbanim, për derdhjen e mbetjeve të vajrave të djegura në lumin e fshatit si dhe për ndërtimin pa leje të objektit ku është ndërtuar uzina.