Në shpatin e një mali në Davos është shfaqur një mesazh i shkruar mbi borë: “No Imperialism”. Një paralajmërim simbolik, në prag të mbërritjes së Donald Trump në Forumin Ekonomik Botëror, për herë të parë pas gjashtë vitesh.
Ironikisht, bora këtë vit është e pakët dhe temperaturat janë mbi zero, pikërisht në një vit kur temat e ngrohjes globale dhe energjive të rinovueshme kanë kaluar në plan të dytë. Forumi i këtij viti është ndryshe nga të tjerët, jo vetëm për shkak të klimës, por edhe për ndryshimet e mëdha politike dhe ekonomike.
Ky është Davosi i parë pa themeluesin e tij, Klaus Schwab, 87 vjeç, i cili u tërhoq pas akuzave për sjellje abuzive dhe shpenzime personale me fondet e organizatës, akuza që nuk u konfirmuan plotësisht nga hetimet e brendshme. Sot, në krye të Forumit është Børge Brende, ish-ministër i Jashtëm i Norvegjisë.
Figura kyçe e këtij viti është Larry Fink, drejtuesi i BlackRock, gjigantit financiar që menaxhon rreth 14 trilionë dollarë, pothuajse sa PBB-ja e gjithë eurozonës. Pikërisht Fink ka luajtur rolin kryesor për t’i rikthyer peshë Davosit dhe për të bindur Trump të marrë pjesë.
Trump mbërrin me një delegacion të fuqishëm: sekretarin e Thesarit, Scott Bessent, sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, sekretarin e Tregtisë, Howard Lutnick, negociatorin Steve Witkoff dhe dhëndrin Jared Kushner. Për herë të parë, SHBA-të kanë marrë me qira një kishë të çkonsakruar në Davos, duke e kthyer në “US House”, ku do të zhvillohet një program paralel konferencash, nga hapësira dhe Elon Musk, te kriptomonedhat dhe stablecoin-et.
Në programin zyrtar, temat e diversitetit dhe agjendës “woke” janë zbehur ndjeshëm. Nuk është më Davosi ku Greta Thunberg paralajmëronte se “bota po digjet”. Në qendër janë inteligjenca artificiale, kriptovalutat dhe gjysmëpërçuesit. Drejtuesit e Wall Street-it, si Jamie Dimon dhe Ken Griffin, marrin skenë të barabartë, madje më të madhe, se disa krerë shtetesh.
Megjithatë, Trump nuk do ta ketë të lehtë të dominojë axhendën. Në Davos janë të pranishëm edhe Emmanuel Macron, Friedrich Merz, Volodymyr Zelensky, ndërsa për Giorgia Meloni, edhe pse nuk figuron në program, Forumi vazhdon ta konsiderojë pjesëmarrëse.
Një moment i veçantë ishte duartrokitja për Danimarkën. Në një takim privat, guvernatori demokrat i Delaware, Chris Coons, me një flamur danez në xhaketë, kujtoi sakrificat e përbashkëta historike mes Evropës dhe SHBA-ve, duke vënë në pikëpyetje përplasjen aktuale mbi Groenlandën. Fjala e tij u prit me duartrokitje unanime.
Davos 2026 shënon kështu një kthesë të fortë: më pak ideologji, më shumë fuqi ekonomike dhe një prani amerikane që synon të ndikojë drejtpërdrejt axhendën globale.
/tvklan.al


