Kryetarët e komunave Ramiz Merko dhe Stevço Jakimovski, si dhe ish-zyrtarët Koço Angjushev, Sasho Mijalkov, Nikola Gruevski, Katica Janeva… janë vetëm disa nga zyrtarët që u futën në “listën e zezë” amerikane të sanksioneve për shkak të korrupsionit. Ata për momentin nuk do të dënohen më tej sipas ligjeve të shtetit, sepse deputetët e kësaj përbërje parlamentare nuk i kanë shqyrtuar ndryshimet në ligjin për masat kufizuese, të cilat i ka propozuar ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani. Ndryshimet ligjore parashikuan zgjerimin e listës maqedonase të personave të sanksionuar me persona tashmë të vendosur në “listën e zezë” amerikane, evropiane dhe britanike.
Nevoja për ndryshime në ligjin për zgjerimin e listës së zezë ishte zbatimi efektiv i masave kufizuese në lidhje me listën e zezë të sanksioneve të Shteteve të Bashkuara që synon akterët për sjellje destabilizuese dhe korruptive në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Por ndryshimet në këtë ligj nuk janë të vetmet që deputetët e rinj do të duhet të trashëgojnë pas zgjedhjeve parlamentare të planifikuara për 8 maj të këtij viti.
NDRYSHIMET KUSHTETUESE
Një nga faktorët kyç në negociatat për shumicën qeverisëse do të jetë miratimi i ndryshimeve kushtetuese me të cilat bullgarët dhe pesë pakicat e tjera etnike duhet të bëhen pjesë e Kushtetutës së Maqedonisë. Ndryshimet në Preambulë janë një kusht që do të mundësojë vazhdimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Blloku politik shqiptar në vend, si kusht kyç për koalicion me partnerin maqedonas në Qeveri pas zgjedhjeve, vendos miratimin e ndryshimeve kushtetuese menjëherë pas seancës konstituive të Parlamentit, e cila duhet të mbahet brenda muajit maj, 29 më së voni.
Procesi për ndryshimet kushtetuese në Parlament filloi më 18 gusht të vitit të kaluar, por kryeparlamentari i atëhershëm Talat Xhaferi e ndërpreu seancën për shkak se koalicioni qeverisës LSDM dhe BDI nuk arritën të siguronin shumicën prej dy të tretave të nevojshme për hapjen e Kushtetutës.
“Askush nuk do të jetë në gjendje të formojë një qeveri pa i siguruar një rrugë evropiane vendit. Hipotetikisht, askush nuk do të jetë në gjendje të formojë një qeveri nëse ajo qeveri nuk jep ndryshime kushtetuese në tre muajt e ardhshëm. Dhe nuk është një kërcënim siç mund të thotë dikush përsëri, por të tilla janë rrethanat gjeopolitike. Ja, kjo po incizohet, unë e firmos që kështu do të jetë”, tha së fundi ministri aktual i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani nga BDI.
ENERGJETIKA
Përbërja e re parlamentare do të duhet të vendosë edhe për investimet strategjike në energjetikë, të cilat Qeveria i ka negociuar për më shumë se dy vjet, por i ka dorëzuar në Parlament në fund të mandatit.
ADMINISTRATA
Një nga reformat më të mëdha që po përgatitet prej vitesh ka të bëjë me administratën dhe përpjekjen për të penguar punësimin partiak në sektorin publik. Pakoja prej pesë ligjesh për administratën ka muaj që ka ngecur në Parlament. Kjo paketë ligjesh e hartuar nga Ministria e Shoqërisë Informatike e cila u bë “viktimë” e përballjes politike mes Aleancës për Shqiptarët dhe shumicës qeverisëse pas vendimit të kreut Arben Taravari për të kandiduar për president.
Paketa e ligjeve u hartua nga Ministria e Shoqërisë Informatike në vitin 2017 dhe parashikonte reformimin e parimit të punësimit dhe promovimit në sektorin publik sipas sistemit të meritës, i cili duhej të zgjidhte një nga kritikat më të shpeshta nga Komisioni Evropian për punësimin partiak dhe kontributi në administratën profesionale dhe të depolitizuar. Sipas njoftimeve të autoriteteve, miratimi i Ligjit për Shërbimin e Lartë Drejtues ishte dashur të sillte standarde për profesionalizimin e shërbimit të lartë drejtues dhe një hap drejt zgjidhjes së problemit të kahershëm me emërimin e drejtorëve dhe drejtuesve në vend. Një nga nenet e ligjeve të propozuara është ndalimi i punësimit të pozitave drejtuese përmes Agjencisë për punësim të përkohshëm, parim me të cilin shpeshherë anashkaloheshin ligjet dhe punësoheshin “ushtarë partiakë” në pozita drejtuese.
OHRI-UNESCO
Trashëgimia kulturore e Ohrit mbetet e pambrojtur, për të cilën Qeveria miratoi masa urgjente verën e kaluar për të zbatuar rekomandimet e UNESCO-s. Prishja e ndërtimeve pa leje dhe kufizimi i ndërtimeve në qendrën e vjetër të qytetit të Ohrit ishin vetëm një pjesë e detyrave që Qeveria ua ka dhënë institucioneve kompetente sipas rekomandimeve të UNESCO-s. Megjithatë, zbatimi i këtyre detyrave varej nga ndryshimet e propozuara në ligjet për shpalljen e qytetit të vjetër të Ohrit dhe Liqenit të Ohrit si trashëgimi kulturore të një rëndësie të veçantë, të cilat mbetën në sirtarët e Parlamentit. “Ligji përmban dispozita që vendosin një regjim specifik për mbrojtjen e bërthamës së qytetit të vjetër të Ohrit dhe zonës së kontaktit të tij, qëllimi i të cilit është parandalimi i veprimeve, dukurive dhe ndikimeve që shkaktojnë ose mund të shkaktojnë dëme, shkatërrime, ndryshime të pakthyeshme ose degradim i monumentit në tërësi, pra ndikim negativ në autenticitetin dhe integritetin e tërësisë”, shkruhet në ndryshimet e propozuara të ligjit që mbetën të mbërthyer në sirtarët e Parlamentit.
SHUMË LIGJE TË TJERA
Në mesin e projektligjeve të vjetra që prej kohësh po “bëjnë pluhur” në sirtarët e Parlamentit është edhe ai për projektin për Qendrën e re Klinike Universitare, i cili para tre vitesh u dorëzua nga qeveria e kaluar e udhëhequr nga Zoran Zaev. Ligji që bëri shumë polemika në opinion, që është projektligji për rregullimin e statusit të objekteve pa leje, i cili duhej të legalizonte ndërtimet pa leje të ndërtuara deri më 1 janar 2021, nuk ka kaluar.
Ndër pikat e rendit të ditës që mbetën të pashqyrtuara nga përbërja aktuale parlamentare janë edhe ndryshimet në Ligjin për të drejtat e veçanta të pjesëtarëve të forcave të sigurisë dhe familjeve të tyre. Ajo duhej të dëmshpërblinte një duzinë invalidësh ushtarakë si dhe pesëmbëdhjetë familje të anëtarëve të vdekur të forcave të sigurisë. Kompensimi për “branitellat”, për kujtesë, ishte edhe arsyeja pse Stojançe Angelov dhe partia e tij Dinjiteti së fundi u larguan nga koalicioni me LSDM-në. Edhe pse u shfaqën si propozime në seancat parlamentare, deputetët në largim nuk arritën ta shpallin kanionin e Matkës monument natyre dhe Bllaton për park natyror.
Disa raporte vjetore për punën e disa institucioneve, si Këshilli Gjyqësor, Agjencia për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informacionet Publike, Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen e Diskriminimit, Agjencia për Aviacionin Civil mbetën si dokumente të pashqyrtuara në arkivin parlamentar. (koha.mk)