Alsat 2019-10-22T15:04:08+02:00
Rreth 200 fëmijë kanë mbetur jashtë bankave shkollore si pasojë e mos vaksinimit kundër fruthit. Ministri i Arsimit Arbër Ademi tha se ky numër korrespondon me përpunimin e të dhënave deri të premten e kaluar, ndërkaq deri në përditësimin e tërësishëm të të dhënave ky numër të rezultojë edhe më i madh. Megjithatë Ademi nuk sqaroi se çfarë do të ndodh me fatin e këtyre fëmijëve që për shkak të mos vaksinimit mbetën jashtë procesit mësimor.
Mos vaksinimi i një individi të caktuar nuk guxon të cenoje shëndetin e tjerëve dhe aspak kjo nuk mund të kufizohet me ndonjë normë të caktuar tjetër ligjore. Pasi shqyrtuam të gjitha aspektet ligjore unë premtova se kur do i kemi të dhënat për numrin e fëmijëve të pa regjistruar si rezultat i mos vaksinimit, kur do i kemi ato materiale shtesë të cilat ata duhet ta na i dorëzojnë, në mbledhjen e parë të Qeverisë do ta trajtojmë këtë çështje dhe do ta diskutojmë – deklaroi Arbër Ademi, Ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Pavarësisht rënies drastike të numrit të të prekurve nga fruthi, Ministria e Shëndetësisë njofton se vazhdojnë të mbeten në fuqi masat e vendosura që nga shpallja e epidemisë, duke njoftuar se deri më tani numri i fëmijëve të moshës deri 14 vjeç, të cilët e kanë pranuar vaksinën MRP është rreth 42 mijë.
Nga fillimi i epidemisë e deri më tani, në Qendrat e Shëndetit Publik, në mënyrë shtesë janë marrë 6.291 doza të vaksinave. Prej tyre më së shumti apo 60 % e qytetarëve që i kanë pranuar janë punonjës shëndetësor, studentë dhe nxënës të shkollave të mjekësisë, të tjerët janë persona nën 14 vjeç. Mbeten në fuqi masat e rekomanduara dhe aktivitetet të cilat i ndërmarrin institucionet përkatëse shëndetësore – njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
Të premten e shkuar, prindërit të cilët kundërshtojnë vaksinimin e fëmijëve të tyre me vaksinën MRP kanë marshuar nga Ministria e Punës Sociale deri te ajo e Arsimit, për të përsëritur qëndrimin e tyre se nuk do të lejojnë që vaksinimi të jetë shkak për mos ndjekjen e procesit mësimor.
Vjollca Aliti
Loading…




