Shifrat e dhunës në familje në rajonin e Pollogut mbeten alarmante. Gjatë vitit 2025 dhe muajve të parë të vitit 2026, ishin regjistruar qindra raste të dhunës fizike e psikologjike, të cilat shpesh kanë përfunduar me lëndime të rënda trupore, e në rastet më ekstreme, edhe me vrasje. Sipas të dhënave zyrtare, vetëm përgjatë vitit 2025 janë regjistruar gjithsej 181 vepra penale të lidhura me dhunën në familje, ku Tetova prin me 125 raste, ndërsa në Gostivar janë shënuar 56 të tilla.Më së shumti dominojnë rastet e lëndimeve trupore (97 raste) dhe rrezikimi i sigurisë (77 raste). Mirëpo, bilanci i zi përfshin edhe krime më të rënda: një vrasje e regjistruar në Tetovë, tri raste të heqjes së paligjshme të lirisë, si dhe raste të ngacmimit seksual e përndjekjes. Për këto vepra janë detektuar 200 kryerë (143 në Tetovë dhe 57 në Gostivar), ndaj të cilëve janë ngritur 155 kallëzime penale.
Burrat mbeten dhunuesit kryesorë, por nuk mungojnë as gratë
Statistikat konfirmojnë se në numrin më të madh të rasteve, dhunuesit janë burra — gjithsej 178 persona. Ndër ta, profilin kryesor të dhunuesit e përbëjnë bashkëshortët (79) dhe djemtë (24), të pasuar nga partnerët jashtëmartesorë (17) dhe prinderit (13). Megjithatë, në raportet policore figurojnë edhe 26 gra si kryese të dhunës, ku pjesa më e madhe e tyre (15 raste) hyjnë në relacione të tjera familjare si vjehrra, nusja apo kunata.
Në anën tjetër, pasqyra e viktimave tregon se gratë dhe vajzat mbeten shënjestra kryesore e egërsisë familjare. Nga 200 viktima të regjistruara në vitin 2025, madje 165 janë të gjinisë femërore (83 bashkëshorte, 18 partnerë jashtëmartesorë, 11 nëna dhe 10 vajza). Dhuna nuk ka kursyer as burrat; 39 të gjinisë mashkullore kanë qenë viktima të sulmeve brenda familjes, ku kryesisht pësojnë etërit (15 raste) dhe djemtë (8 raste).
Alkooli dhe problemet mendore – “Katalizatorët” e dhunës
Sipas analizave të organeve të rendit, forca fizike dhe tortura psikologjike janë mjetet kryesore të përdorura nga dhunuesit për t’u shkaktuar vuajtje dhe lëndime viktimave. Si shkaktarë ose motive më të shpeshta që çojnë deri në këto akte brutale potencohen konsumimi i alkoolit, çrregullimet nervore si dhe irritueshmëria e lartë e kryesve të veprave.Përveç veprave penale, gjatë vitit 2025 janë regjistruar edhe 27 kundërvajtje për dhunë në familje (sulme fizike dhe bërtitje në vende publike), për të cilat janë denoncuar 29 kryes.
Viti 2026 nis përgjakshëm: Djali vret babanë në Gostivar
Se situata nuk po tregon shenja përmirësimi e dëshmojnë edhe të dhënat për tre muajt e parë të vitit 2026, ku tashmë janë regjistruar 35 vepra penale të reja (15 në Tetovë dhe 19 në Gostivar).Viti filloi me një tragjedi të rëndë në Gostivar, ku djali ka vrarë babanë e tij. Po ashtu, në tremujorin e parë janë shënuar 16 raste të lëndimeve trupore, 17 raste të rrezikimit të sigurisë, si dhe një heqje e paligjshme e lirisë në Gostivar, krahas 4 kundërvajtjeve të tjera.Këto të dhëna alarmante riaktualizojnë nevojën urgjente për institucionet, qendrat për punë sociale dhe shoqërinë civile që të rrisin vigjilencën, parandalimin dhe ndëshkimin e ashpër të këtij fenomeni që po shkatërron bërthamën familjare në rajon.



