Kryetarja e Forumit të Grave të LSDM-së, Kaja Shukova, në konferencën e sotme për shtyp kërkoi përgjegjësi nga ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, pas disa tragjedive që, sipas saj, lidhen me dhunën në familje dhe dështimet e institucioneve.
Ajo tha se publiku është i tronditur dhe i pikëlluar pas rastit të fundit në lagjen Karposh në Shkup, ku humbën jetën një nënë dhe vajza e saj e mitur.
Sipas Shukovës, për dy vjet janë bërë 12 raportime për dhunë në familje ndaj vajzës së vogël, por institucionet nuk kanë reaguar në mënyrën e duhur.
Ajo përmendi edhe raste të tjera që kanë shqetësuar opinionin publik, si rasti në Veles ku një përdhunues serial mori jetën e një vajze të mitur dhe babait të saj. Për këtë rast, tha ajo, është duke u zhvilluar hetim për të parë nëse policia ka vepruar siç duhet.
Shukova përmendi edhe tragjedinë në Koçan ku humbën jetën 64 persona, duke akuzuar ministrin se po përpiqet të shmangë përgjegjësinë.
“Nuk do të heshtim. Jepni dorëheqje”, tha Shukova.


