Shtyrja e zgjedhjeve lokale do të shkaktonte kaos në komuna dhe do t’i jepte goditje të fuqishme ekonomisë së vendit. Autoritet kompetente për momentin nuk zbardhin se si do të funksiononte vetëqeverisja lokale dhe nëse kryetarëve dhe këshilltarëve aktual në komuna u skadon mandati përpara se të zgjidhen pasardhësit e tyre. Kryetari i Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale, Koce Trajanovski theksoi se do të kërkojë mendim nga institucionet kompetente, meqë ligji për vetëqeverisje lokale nuk parashikon një situatë të këtillë.
Duke marrë parasysh faktin se bëhet fjalë për post publik në një situatë të tillë do të shkaktohej një boshllëk nëse nuk vazhdojnë. Duhet shikuar nëse mund të vazhdojnë nga aspekti ligjor. Pra bëhet fjalë për një zbrazëtirë, tani unë nuk do të mund të përgjigjesha, megjithatë do të bëjmë një numër të madh të konsultimeve me institucionet në rast se nuk shpallen zgjedhjet deri më gjashtë mars – deklaroi Koce Trajanovski, kryetarë i BNJVL-së.
Nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale nuk kanë sqarim konkret. Ata bëjnë të ditur se ligji parashikon që kryetari i sapozgjedhur ta marrë përsipër postin në afat prej 7 ditëve pas zgjedhjes së tij. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se kryetari aktual guxon të ushtrojë postin e tij edhe pas skadimit të mandatit.
Në asnjërin nga aktet e përmendura juridike nuk është parashikuar shtyrja e zgjedhjeve lokale. Konsiderojmë se kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë ka për obligim të miratojë një akt për shpalljen e zgjedhjeve me të cilin do të përcaktohet një ditë nga gjysma e parë e muajit maj të vitit 2017, në të cilën duhet doemos të mbahen zgjedhjet lokale – bëhet me dije nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale
Ekonomistët druajnë se shtyrja e zgjedhjeve lokale dhe zbrazëtira juridike do të jetë shumë e dëmshme për ekonominë e vendit. Kriza ka zgjatur shumë, ndërsa problemi i ri që do të shkaktojë do të paralizonte ekonominë.
Nëse vjen deri tek përkeqësimi i krizës dhe shtyhen zgjedhjet lokale, kjo do të rezultojë me presion më të madh, veçanërisht në sektorin që ishte pararojë e ekonomisë së Maqedonisë, e kjo është ndërtimtaria – tha ekonomist Goran Rafajlovski.
Mbetet e paqartë si do të realizohen projektet komunale dhe pagat në institucionet nën kompetenca të komunës nëse zgjedhjet lokale nuk mbahen në afatin e paraparë ligjor.