Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev për herë të parë doli para gjykatës si kryeministër i akuzuar për mitmarrje me akuzën e cila e rëndon që prej kur ishte kryetar i Strumicës. Por, edhe sot sikurse disa herë tjera seanca gjyqësore u anulua.
Por, para se seanca të anulohej avokati i Zaevit Filip Medarski i kërkoi gjykatës që të ndajë provat, respektivisht t’i refuzojë provat që dolën në rrjetet sociale në formë të video incizimit të siguruara me masa të veçanta të hetimit në të cilat shihet Zoran Zaev me biznesmenin Ivan Nikollov-Saçevaliev-it të cilit i kërkon mbi 150 mijë euro gjoja për ryshfet për t’ia shitur një tokë ndërtimore në Strumicë.
Sipas prokurorisë, një pjesë e parave të ryshfetit do duhej të shkonin për ndërtimin e një kishe në qytet, ndërsa pjesa tjetër për kryetarin e atëhershëm të Strumicës, Zoran Zaev. Gjykatësja Diana Gruevska Ilievska e shtyu seancën për në shtator dhe ndërkohë do duhet të zbulohet se si kanë përfunduar provat e marra me masa të veçanta të hetimit të internet. Në seancën e fundit Zaev i kërkoi gjykatës procesverbalin nga përgjimet me masa të veçanta të hetimit pasi dyshonte në vërtetesinë. /SHENJA/

