Rriten incidentet zgjedhore, në kuadër të fushatës së zgjedhjeve lokale të këtij viti. Rasti i fundit është ai i kandidatit të Lëvizjes Besa për kryetar të Komunës së Sarajit, Bashkim Bakiu, i cili ka marrë një porosi me përmbajtje kërcënuese.
Bakiu e ka publikuar porosinë në faqen zyrtare në Facebook dhe njëkohësisht rastin e ka paraqitur në polici.
Nga Sektori për Punë të Brendshme kanë njoftuar se rasti është paraqitur mbrëmë dhe se po punohet për zbardhjen e tij.
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
“Më 05.10. 2017 rreth orës 19:00 në stacionin policor Qendër, ka ardhur personi me iniciale B.B (36) nga fshati Lubin i Shkupit, ( kandidat për kryetar të komunës së Sarajit, nga partia politike “BESA”) dhe ka paraqitur se gjatë ditës ka marrë porosi në telefonin e tij me përmbajtje kërcënuese. Për shkak se B.B është dashur të mbahë tubim të paparalajmëruar në fshatin Saraj, në Dërven, me fillim në orën 20:00, është dashur të shpejtojë, ka thënë se heq dorë nga denoncimi. Në orën 19:50 B.B është paraqitur në linjën telefonike 192, dhe e ka paraqitur ngjarjen (tubimin), duke kërkuar që të jetë I siguruar nga ana e shërbimit policor. Tubimi është realizuar dhe përfunduar pa probleme, ndërkaq personit B.B nëpërmjet telefonit i është kërkuar që të vijë në Departamentin e Policisë në Sara, dhe ta paraqesë rastin rreth kërcënimit telefonik”
Nga ana tjetër edhe në kampin maqedonas vazhdojnë incidentet zgjedhore. Sipas informatave të policisë mbrëmë rreth orës 22:00, një person me iniciale R.R, i moshës 36 vjeçare, ka tentuar të ngjitet në skenë kur në foltore të pranishmëve po u drejtohej kreu i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, dhe i njëjti ka tentuar ta sulmojë atë.
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
“Sulmuesi nga një largësi më të madhe ka spërkatur me gaz lotsjellës kah skena. Menjëherë ka reaguar sigurimi i pranishëm në tubim, më pastaj ka reaguar edhe policia. Sulmuesi është arrestuar dhe është dërguar në stacion policor, ka pasuar padia kundërvajtëse për shkelje të rendit dhe qetësisë publike, si dhe një gjobë prehj 500 euro për përdorimin e gazit lotsjellës”
Shkupjani ka sulmuar edhe një tjetër person të pranishëm në tubim. Nga partia nuk e komentojnë incidentin, ata thonë vetëm se për fat të mirë sigurimi ka reaguar në kohë dhe e ka dorëzuar personin tek shërbimet kompetente për zbardhje të incidentit.
Policia sot ka informuar edhe për një sulm mbi një aktivist politik në Kriva Pallankë para një jave. Tre persona të Kriva Pallankës të shtunen e kaluar kanë sulmuar një djalë 24-vjeçar, i cili ka qenë duke vozitur makinë me emblema partiake, duke thirrur për tubim partiak. Një nga sulmuesit fillimisht e ka urdhëruar të ndalet pastaj e ka sulmuar me grushta përmes dritares. E kanë hapur derën e makinës, e kanë nxjerrl jashtë dhe kanë filluar ta gjuajnë. Ndaj dy sulmuesve janë ngritur akuza penale. Këto ngjarje e vazhdojnë vargun e incidenteve zgjedhore, ku mes tyre më serioz ishte sulmi ndaj kandidatit për kryetar komune në Shuto Orizare, për të cilën ka reaguar edhe Komisioni Evropian dhe ka kërkuar nga pushteti që të ofrojnë kushte për mbajtje të zgjedhje të drejta dhe demokratike.
Ajnur Bafqari /SHENJA/

