Për MAPO – Nga Arsen Hoxha,
Washington
Amerikanët dhe e mbarë bota po mbajnë frymën për të mësuar se kush do ta drejtojë Shtëpinë e Bardhë në 4 vitet e ardhshme. Pas një nate të gjatë dhe plot tensione, ka vijuar numërimi i votave në ato shtete që do të jenë përcaktuese për rezultatin e zgjedhjeve.
Deri në orët e vona të pasdites (me orën amerikane) kandidati demokrat Joe Biden udhëhiqte garën me 253 vota elektorale të fituara, kundrejt 213 të Presidentit në detyrë Donald Trump. Presidenti Trump dhe Joe Biden po luftojnë që të arrijnë 270 votat e nevojshme për të fituar presidencën.
Deri rreth orës 5 pasdite të së mërkurës kishin mbetur me mijëra vota për t’u numëruar në Michigan, Georgia, North Carolina, Arizona dhe Nevada. Po kështu, Sekretari i Shtetit të Pennsylvania-s Kathy Boockvar njoftoi se miliona vota kanë mbetur pa u numëruar në këtë shtet.
Pennsylvania ka arritur të numërojë deri pasditen e së mërkurës vetëm 50% të votave me postë. Boockvar, i tha rrjetit CNN të mërkurën se këtij shteti mund t’i duhet të rinumërojë votat, edhe pse një situatë e tillë mund të arrihet të shmanget.
Në një zhvillim të rëndësishëm të orëve të pasdites Joe Biden arriti të fitojë shtetin e Wisconsin. Associated Press njoftoi se Wisconsin shkonte për Biden-in, pasi zyrtarët e zgjedhjeve në këtë shtet thanë se të gjitha fletët e votimit ishin numëruar, përveç disa qindrave në një lagje të vogël.
Menaxheri i fushatës së Trump, Bill Stepien tha se presidenti do të kërkojë zyrtarisht një rinumërim të Wisconsin-it, duke përmendur “parregullsi në disa qarqe”. Po kështu fushata e Trump ngriti padi në Michigan për të ndaluar numërimin e fletëve të votimit, sepse pretendonte se nuk i ishte dhënë akses vëzhgimi sa i takonte hapjes së fletëve të votimit dhe procesin e numërimit.
Fushata e Presidentit Trump vendosi të mërkurën t’i drejtohet po Gjykatës së Lartë, duke kërkuar të ndërhyjë në një tjetër çështje që aktualisht po shqyrtohet nga Gjykata e Lartë e Pennsylvania-s, që lejoi numërimin e fletëve të votimit pas ditës së zgjedhjeve. Gjyqtarët refuzuan të përshpejtonin ankesën para zgjedhjeve, por ata ende po shqyrtojnë nëse do të marrin çështjen në shqyrtim.
“Kjo është koha e përshtatshme. Duke pasur parasysh rezultatet e mbrëmshme, votimi në Pennsylvania mund të përcaktojë Presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara”, tha Jay Sekulow, një avokat i Presidentit. “Kjo Gjykatë,” tha ai, “dhe jo Gjykata e Lartë e Pennsylvania-s, duhet të ketë fjalën e fundit”.
Njerëzit e fushatës së Presidentit Trump thonë se padia në Pennsylvania shënjestron vëzhguesit e qendrave të votimit dhe ligjet që merren me identifikimin e identitetit të votuesve. “Gjëra të këqija po ndodhin në Pensilvani. Demokratët po synojnë të heqin të drejtën e votës dhe të zbehin votat e Republikanëve.
Trump dhe ekipi i tij po luftojnë për t’i dhënë fund kësaj situate,” tha zv.menaxheri i fushatës Justin Clark. “Ne jemi duke ngritur padi për të ndaluar zyrtarët demokratë të zgjedhjeve të fshehin numërimin dhe përpunimin e votave nga vëzhguesit republikanë të sondazheve,” tha Clark.
Menjëherë pas këtyre zhvillimeve, kandidati demokrat Joe Biden mbajti një deklaratë për mediat për t’u thënë amerikanëve se ai po shkonte drejt fitores.
“Wisconsin-in e kemi fituar me të njëjtin marzh që Trump e fitoi në 2016-ën. E njëjta situatë optimiste duket edhe në Michigan. Të ulim tonet. Ne nuk jemi armiq. Çka na bashkon është më e madhe. Unë do të qeveris si President i të gjithë amerikanëve,” tha Biden.
Ndërkohë, Kevin Bray, një zyrtar i lartë i postës amerikane USPS i ngarkuar për mbarëvajtjen e votimit me postë, dëshmoi në gjykatë të mërkurën duke u shprehur se shërbimi postar i SHBA-së do të vazhdojë të marrë masa të jashtëzakonshme për të mundësuar dërgimin e fletëve të votimit në zonat përkatëse në mënyrë që ato të numërohen deri ditën e shtunë.
Ky është një fakt shumë i rëndësishëm, sepse disa shtete mundësojnë që fletët e votimit të postuara deri në datën 3 nëntor, të numërohen edhe pas ditës së zgjedhjeve.
Këto fletëvotime duhet të shënohen në postën postare, ose para saj, ditën e zgjedhjeve. Zyrtari i lartë i postës tha se nga USPS do të përdoret rrjeti i shpejtë postar për të bërë të mundur dërgimin e këtyre votave deri të Shtunën.
Në një reagim të sajin, Dhoma Amerikane e Tregtisë, grupi më i madh lobues në vend, bëri thirrje të mërkurën për durim dhe besim në sistemin demokratik dhe premtoi se do të punojë me kandidatin fitues. Drejtori i Dhomës, Thomas J. Donohue tha se demokracia do të bëjë punën e saj dhe “ne do të jemi gati të bëjmë punën tonë.”
Edhe pse projeksionet e deritanishme flasin për një fitore të kandidatit demokrat Joe Biden, është ende e paqartë se cili do të jetë ndikimi i vendimeve të pritshme të gjykatave në rezultatin final.