Shtetasi turk Abtül Fettah Kuru, i cili prej 15 vitesh jeton në Kosovë dhe aktualisht menaxhon një lokal ushqimor në Mitrovicë, u ka dalë në ndihmë pjesëtarëve të policisë kosovare që prej tri javësh kanë patrulluar në vazhdën e tensioneve të fundit në veri të vendit, duke u ofruar atyre ushqim dhe pije të ngrohta falas.
Kuru erdhi nga rrethi Altınoluk i provincës turke Balıkesir për herë të parë në Kosovë para 20 vjetësh, por tash e 15 vjet, ai jeton dhe punon në Kosovë.
Ai merret me përgatitjen e donerëve prej 15 vitesh, por lokalin e tij në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë e ka hapur tash e pesë vjet.
Për shkak të vendosjes së barrikadave në veri që kanë bllokuar qarkullimin e lirë dhe gjendjes jo të mirë të sigurisë në këtë pjesë javëve të fundit, 32-vjeçari thotë se një situatë e tillë ka pasur efekt edhe në lokalin e tij, duke i rënë puna.
Megjithatë, ai nuk ka ndaluar si shkak i rrethanave të reja në lagje dhe ka vendosur që t’u dalë në ndihmë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të cilët po patrullojnë afër lokalit të tij tash e 20 ditë, duke u ofruar atyre ushqim dhe pije të ngrohta falas.
Duke folur për Anadolu Agency (AA), Kuru thotë se pjesëtarët e Policisë po rrinë në lagjen ku ai punon për sigurinë e të gjithë qytetarëve gjatë gjithë kohës dhe se ndihmën që e ofron, po e bën për hir të Zotit.
“E bëj për rizanë e Zotit. Nuk e bëj këtë për reklamë. Mundohemi që sipas mundësive t’u ndihmojmë policëve që gjenden këtu, t’u tregojmë se si popull turk gjendemi këtu. U japim doner në mbrëmje, gjatë ditës. Moti natën është i ftohtë. Duam t’u ndihmojmë sadopak. Kjo është arsyeja”, thekson Kuru.
– “Si populli turk ne jemi bamirës”
Shtetasi turk ka ndërtuar një reputacion të mirë në Lagjen e Boshnjakëve dhe të gjithë e njohin si person me zemër të mirë, i cili edhe në situata normale në lagje, u ndihmon fëmijëve dhe nevojtarëve.