Në vitet e para të hapjes së Shqipërisë dhe të pavarësisë së Maqedonisë, të dyja vendet nuk mund të lavdëroheshin sedinin shumë për njëri-tjetrin. Unë vetë, ndonëse në ato vite isha student në vende krejt të tjera, llogaritesha se dija më shumë për Shqipërinë thjesht meqë isha nga Shkupi. Aq sa mund të dihej, dhe në fakt mjaft nga ajo pak që kishte për të ditur. Ato kohë mes nesh kishte kufi, viza, paragjykime dhe ambasadorë që nuk u mbahej mirë mend emri. Nga ajo kohë e fillimeve të njohjes, apo rinjohjes, dy gjëra kanë mundur të mbijetojnë për të dëshmuar, përveç disa suvenirëve folkloriketë blera gjatë qëndrimit tim në Vlorë në vitin 1991. Bëhet fjalë për dy dokumente. Fillimisht, një letër me të cilën vërtetohej se ishim shqiptarë për nga kombësia, çka ishte kusht që të liroheshim nga pagesa e taksës për vizë në Shqipëri. Letra që na provonte me shkrim kombësinë nuk kishte ku të nxirrej në vendin tonë. Me ndonjë marrëveshje joformale politike ishte caktuar që të merrej në bashkësinë lokale ku jetonim, procedurë e cila shpejt u shndërrua në gallatë, pasi e përdorën, sipas renditjes, shumë turq dhe boshnjakë vendorë e më pas gjithkush që do të vizitonte Shqipërinë ato vite e donte të kursente ca dollarë amerikanë. Kurse i dyti dokument i kohës,edhe më historik, qe një telegram i ATSH që ende mbahet mend si përçarës i organizimit të parë shqiptar politik të Maqedonisë, sot të Veriut. Së pari, në një fraksion, e mandej, në parti të veçanta, e që prej atëherë çdo ditë e më shumë shtohen!
Paragjykimi më i rëndë ishte se Shqipëria na dinte për kosovarë dhe kur sqaroheshim se nuk jemi nga Kosova, binim vetë në kurthin e sqarimit e dilnim: maqedonë! Na mbetej më mirë të mbeteshim kosovarë, qoftë edhe tjetër farë e më fetarë, aman vetëm të mos dilnim maqedonë, maqedonas e maqedonc. Pasuan shumë vite sqarimi, dallimi dhe jete nën hije të Kosovës, e cila në ndërkohë u çlirua dhe na çliroi edhe neve duke dalë nga trekëndëshi mes nesh. Po kjo shkëputje nuk është se automatikisht e qartësoi pamjen. Nëse nuk ishim më as kosovarë, nëse nuk ishim as maqedonas, mbetëm për gjatë « shqiptarët e tjerë ».
Prandaj, gjatë gjithë kësaj kohe ndihej një etje për burime tëvërteta dije dhe informacioni për t’u njohur. Tani në shqip dheshqiptarçe, se ishim lodhur ta shihnim njëri-tjetrin nëpër kanalet ndërkombëtare. U provua se njohja më e mirë ishte ajo përmes bashkëpunimit.
Për të përmendur vetëm zhvillimet në rrafshin e kulturës, kujtoj projektet e përbashkëta si, panairet e librit, takimet letrare, por dhe hapjen e ndërsjelltë mediatike për kontribute, sado në përmasa modeste, mes dy anëve të kufirit, që kulmoi në një revistë javore si « Lobi ». Një produkt i shkëlqyeshëm në gjuhën shqipe nga Maqedonia, themeluar e drejtuar nga doajeni i gazetarisë së këtuhit, Iso Rusi, që e vazhdoi aventurën e vet të shkurtër rreth pesë vite.
Përveçse rubrikave të rregullta të pasqyrimit të jetës politike e kulturore në Shqipëri, « Lobi » botonte shkrime dhe intervistaorigjinale prej autorëve atje. Lexuesi sikur njihej për herë të parë me emra të mëdhenj nga ajo që prej këtu quhej Shqipëria e vogël, në ato vite kur, jo thjesht pasqyrimi në internet, po dhe televizionet satelitore ishin ende në hapat e parë të vendosjes së lidhjeve. Emra të afërt e njëkohësisht larg, që ndriçonin përtej tisit punët e asaj Shqipërie të mjegulluar për ne për më shumë se pesë dekada.
Ndokush aty vinte të hedhë dyfish dritë, me autoritetin e kujt e ka njohur së brendshmi dhe zemrën e errësirës, burgjeve të diktaturës: rasti i shkrimtarit, publicistit dhe aktivistit Fatos Lubonja. « Lobi » në fakt qe vendi ideal për t’u takuar me këtë emër. Në një farë mënyre, ndonëse në format krejt të ndryshëm, përpjekja javore te « Lobi » për të kapërcyer përkatësitë e ngushta drejt kërkimit të përbashkët të së drejtës, konvergonte në aq shumë pika me frymën e revistës « Përpjekja », që botohej në Tiranë, drejtuar nga Lubonja. Një tribunë e kritikës dhe mendimit që mu ashtu refuzonte të kyçej në automatizmat e manipulueshëm të dasive, në një shoqëri sapodalë prej « luftës së klasave » apo vizionit të verbërbardhezi që edukoi diktatura.
Kur mundohem të gjej në restrospektivë se çka ishte ajo që puqte këtë tip lajmëtari nga andej, dhe audiencën e etur prej këtu, sado e paktë që ishte, më sillet nëpër mendje vetëm një definicion: të dy palët ishin shqiptarë jokonvencionalë. As Lubonja e as lexuesit e tij të paktë këndej kufirit nuk ishin shqiptarët e kallëpeve dhe të paragjykimeve që kishim për njëri-tjetrin. Nuk është sekret të shënojmë se zërat e zakonshëm « nga Tirana » ndonjëherë nuk ia mbërrinin tëformulonin fjali shumë bujare mbi shqiptarin e « anës së Shkupit ».
Ndoshta për fajin e pafalshëm se, në skaje të sistemit, si minoritet, ky shqiptari i Shkupit i kishte shpëtuar maksimalisht inxhinierisë titiste, lëre më asaj enveriste: për atë dhe nuk ia qëllojnë dot mirë emrat me të cilët e thërrasin, për atë mbetet jokonvencional.
Vetë Lubonja në paraqitjet e mëvonshme dhe të shumta në media televizive që me qasje merituan të dihen si mbarëkombëtare, apo shkrimet që filloi t’i sjellë interneti, gjithnjë e më shpesh dilte jashtë këtyre konventave, kallëpeve dhe paragjykimeve. Ndoshta mu kjo e bënte më të pranueshëm te lexuesit e vet permanentë këndej që,strukturalisht, njësoj ishin jashtë konventave e kallëpeve, e prej kësaj njëlloj të paragjykuar si ai.
Përkundër kësaj vazhdonin paragjykimet edhe më të mëdhames shqiptarëve e maqedonasve, që, ndonëse të afërt me shekuj, nuk arritën të njohin si duhet njëri-tjetrin. Për ta kapërcyer ledhin e indiferencës së ndërsjelltë tentativat që arrijmë të numërojmë gjatë dekadave të fundit nuk munden të mos ia njohin rolin simbolik Lubonjës, si aktor e si personazh. Është në fjalë këtu botimi në maqedonisht i romanit të tij memuaristik « Ridënimi » (Aksioma, Shkup, 2022), me përkthim nga Mariglen Demiri, që letrarizon dëshmi besnike nga « burgosja edhe një herë nga fillimi » e vetë autorit brenda burgut, edhe një herë nga e para, si në një ëndërr tëkeqe që do të zgjasë pastaj vite me rradhë. Romani e çon lexuesin maqedonas të kapërcejë muret e burgut enverist, për të ndjekur në izolimin e qelive, në thellësitë e tuneleve e deri në skutat e ndërgjegjes, luftën e përditshme e të pabarabartë të protagonistit rrëfyes, për t’ia mbërritur të mbesë njeri. Lexuesi maqedonas ndoshta shkoi drejt librit pikësëpari i thirrur nga tema, për konfirmimin e krahasimin letrar të përvojave paralele në diktaturën e vendit fqinj. Por duke kapërcyer tej murit të përbashkët historik të burgut, lexuesi maqedonas po kapërcen në fakt dhe një mur kulturor. Në një nivel tjetër ai çka takon lexuesi pas mureve të burgut, ai me të cilin njësohet përtej kapakut të romanit, ishte shqiptari i panjohur dhe kaq familjar. Një shqiptar jokonvencional.
Ramadan Ramadani, Shkup, Prill 2026
Shkrimi në librin homazh për jetën dhe punën e Fatos Lubonjës “Revizion i kohës” nga Holta Vrioni, Orgest Azizidhe Ervin Hatibi që punuan e bënë bashkë një grup autorësh, në një përmbledhje tekstesh, si mirënjohje për rezistencën e tij të pandërprerë. Dizajn dhe kopertina nga Ngadhnjim Mehmeti.


