Shqiptarët kanë të drejtë legjitime që të kërkojnë postin e kryeministrit për t’u ndjerë që janë qytetarë të barabartë të këtij vendi dhe faktor kyç i stabilitetit. Sipas analistit Ismet Ramadani, rezultati që kanë korrur partitë shqiptare në këto zgjedhjeve u lejon që të mos pranojnë asgjë më pak se kryeministër, duke e ditur se mund të mos kenë rast më të mirë ndonjëherë tjetër.
“Po është e drejtë legjitime sepse kemi plot raste kur në situatat të tilla forca më e vogël politike kur ka rolin e çelësit mund të insistojë që ta marrë kryeministrin. Por, në këtë rast nuk e di se si do të jenë sugjerimet nga ata që megjithatë kanë luajtuar një rol sa i përket zhvillimeve në Maqedoni. Nëse shtrohet problemi i kryeministrit do të ishte mirë që kjo çështje të shtrohet me VMRO DPMNE-në. Unë e di se si do të jetë reagimi i tyre por ndoshta meritojnë që shqiptarët njëherë ti mbështesin për muri edhe ato forca që në krye me Gruevskin çdoherë në vokabularin e tyre e kanë retorikën antishqiptare dhe ta kuptojnë definitivisht që shqiptarët janë faktor që mund të luajnë edhe me postin e kryeministrit të shtetit”, deklaroi analisti politik Ismet Ramadani.
Sipas analistit Ramadan Ramadani, partitë shqiptare tek do të vendosin se cilat poste do t’i kërkojnë nga partnerët eventual maqedonas, si kusht për të hyrë në Qeveri. Por, para se gjithash ai thotë se Nikolla Gruevski me partinë e tij duhet detyruar të kërkojë falje publike për ofendimet ndaj shqiptarëve gjatë fushatës.
“Kusht për negociata është kërkim-falje nga VMRO-DPMNE, e cila ka bërë fushatë albanofobe dhe antishqiptare. Një parti e cila me antishqiptarizëm ka bërë fushatën zgjedhore para se të ulet të negociojë me cilindo subjekt shqiptar, duhet të kërkojë falje publike për ato që i ka thënë për popullin shqiptar dhe gjuhën shqipe. Kushtet e tjera janë përkrahja e plotë e Prokurorisë Speciale dhe zgjerimi i ingerencave të sajë dhe zbatimi i Raportit të Pribesë dhe Marrëveshjes së Ohrit”, deklaroi analisti politik Ramadan Ramadani.
Analistët thonë se kusht i bashkëpunimit me partitë maqedonase duhet të jetë edhe rigjykimi i të gjithë rasteve të montuara politike ku një pjesë e mirë e shqiptarëve janë dënuar padrejtësisht.