Gjuha shqipe është gjuhë në kllapa zyrtare, por jo edhe e barabartë me peshën e gjuhës maqedonase – në fakt, vlera reale e shqipes është e barabartë me cilëndo gjuhë që arrin 20%-in si shifër e theksuar në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.
Ky ligj, një nga më të zhurmshmit në Maqedoninë pluraliste, mbetet një zgjidhje gjysmake, sikurse shumë zgjidhje të tjera të BDI-së.
Neni 1 thekson se;
Ligji për përdorimin e gjuhëve
(1) Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në raportet e saj ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik.
(2) Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve, (gjuha shqipe) gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe shkrimi i saj, në pajtim me këtë ligj.
Në të gjitha paragrafët apo nenet e tjera, shqipja nuk përmendet më, por vetëm shifra 20%. Kjo zbrazëtirë, që i jep më shumë rëndësi 20% si shifër sasiore se sa termit “gjuha shqipe” që qëndron në kllapa në aspektin cilësor, tregon qartë, se cilado gjuhë që e arrin përdorimin 20%, mund të jetë zyrtare (por dytësore). Përndryshe, nëse një komunitet tjetër do të zaptonte 20%-in, nuk do ishte çudi që pse jo të pretendonte edhe atributin e 2001-t për të cilin ishin përpjekur shqiptarët.
Nga ana tjetër, neni 1 është mbivendosës, duke saktësuar në mënyrë të qartë se pavarësisht se çfarë ndodh me nenin 2 apo çdo pjesë më poshtë në ligj, gjuha maqedonase dhe ciriliku mbeten gjuha zyrtare.
Interpretimet e reja politike varen edhe nga prizmi se prej nga është interpretuesi i ulur, në pushtet apo në opozitë. Megjithatë, zhurma në opinion nuk është asgjë më shumë se sa britmë kaotike fëmijësh për të fshehur se kush e bëri fajin. Me plot marifete, që ligji të përligjej, u mbështoll me yllin evropian, u votua me forcën e BDI-së duke rrëzuar 35 mijë amendamente të opozitës, sfidoi edhe mosdekretimin nga presidenti i atëhershëm Ivanov duke u miratuar me forcë me votim të tretë. Pavarësisht hyrjes në fuqi, mbështetur nga agjencia e gjuhëve dhe inspektorati që u themeluan vite më vonë, pa kuadro dhe pa buxhete, zbatimi i tij u pa qartë edhe nga të dhënat që askush nuk është dënuar nga Gjykata Administrative. Ndryshe nga inspektorati për gjuhën maqedonase, ai për shqipen nuk ka dispozitiv ndëshkues, por duhet të raportojë shkeljen në Gjykatën Administrative. Nga ana tjetër, 3 nenet e kontestuara tashmë për ligjin e shqipes, ishin dorëzuar nga vetë BDI-ja në Komisionin e Venecias. Me të gjitha tiparet e një ligji gjysmak, ai u nxor më në fund pas 5 vitesh nga sirtarët e Kushtueses. Kushtetuesja mund ta rikthejë atë sërish te ligjvënësi, arena e preferuar ku politikanët, sërish do të piskatin se kujt do t’ia lënë fajin./ Alsat.mk