Zbatimi i gjuhës shqipe në sistemin gjyqësor të Maqedonisë së Veriut, ashtu si edhe në shumë institucione tjera shtetërore po realizohet me hapa të ngadaltë. Gjykatat dhe prokuroritë krahas mungesës kadrovike (kryesisht përkthyesve ligjor), përdorimin e gjuhës shqipe nuk e kanë kapur me seriozitetin më të lartë edhe për arsye se ende nuk themelohet Inspektorati shtetëror për përdorimin e gjuhëve.
Zëvendëskryetarët e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publike, duke folur për gazetën KOHA, e pranojnë faktin se gjuha shqipe në drejtësi po zvarritet. Por, ndërkohë shprehen se në kuadër të kompetencave që i gëzojnë, kanë bërë maksimumin për zbatimin e gjuhës shqipe.
Selim Ademi, zëvendëskryetari i Këshillit Gjyqësor, sqaron se kompetencë e çdo kryetari gjykate është të ndërmarrë masa (punësoj, sistemoj) për zbatimin e gjuhës shqipe.
“Ne si Këshill Gjyqësor, me një shkresë i kemi njoftuar të gjithë gjykatat se çfarë duhet të bëjnë dhe çfarë kanë për obligim. Sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe në Këshillin Gjyqësor, në fazën e parë e kemi ndërruar tabelën e institucionit, e cila është në tre gjuhë, i kemi i ndërruar të gjitha vulat e punës. Për momentin jemi në procedurë të rregullimit të akteve të brendshme. Në disponojmë me një përkthyes. Kemi kërkuar nga Këshilli Buxhetor të ndajë mjete financiare për angazhimin edhe të dy përkthyesve. Jemi në bashkëpunim edhe me UNDP-në që të bëjë edhe sallë (hapësirë) për përkthim simultan. Sipas informatave të kryetarit të Këshilli Gjyqësor, shpresojmë që shumë shpejtë edhe kjo çështje të rregullohet”, tha Ademi për gazetën KOHA.
Nga miratimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve në janar të këtij viti e deri më sot, gjuha shqipe në institucionet gjyqësor ka zënë hapësirë kryesisht në gjykatat dhe prokuroritë, të cilët udhëhiqen nga shqiptarët. Por, kjo ende nuk ka ndodhur në Gjykatën Penale të Shkupit, respektivisht Gjykatën e Apelit në Shkup, ose Gjykatën Supreme të Maqedonisë së Veriut. Aq më pak gjuha shqipe ka zënë vend në punën ditore të Prokurorisë Publike, Prokurorisë për krim të organizuar dhe shumë Prokurorive tjera Themelore në vend. Koordinimi i brendshëm, qoftë në gjykata apo prokuroritë e theksuara, pastaj publikimi i kumtesave, informacioneve, përfshi edhe kontakti me palët dhe mediat në gjuhën shqipe, deri më sot vazhdon të bëhet vetëm në gjuhën maqedone.
“Nuk janë të vërteta informacionet se asnjë gjykatë nuk ka filluar me zbatimin e gjuhës shqipe. Duhet të dihet se në gjykatat ku kryetari është shqiptar, ka filluar deri diku të zbatohet gjuha shqipe. Megjithatë, nuk është në nivelin e duhur. E keni parasysh se në bazë të Ligjit për gjuhët Qeveria duhet në afat prej një viti të zgjedh programe tjera se si do të zhvillohet kjo dinamikë. Më me rëndësi është se si do të zhvillohen procedurat, seancat gjyqësore në dy gjuhë. Pasi sipas Ligjit për përdorimin e gjuhës, nëse një palë në procedurë (kontestet) është shqiptar, atëherë seanca duhet të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe. Për këtë arsye, një delegacion i Këshillit Gjyqësor brenda këtyre ditëve do të realizojë një vizitë punë në Kosovë, ku edhe praktikisht do të shihet se si zhvillohet atje praktikumit i gjuhëve të ndryshme, në këtë rast gjuhës serbe”, shton Ademi. Mendim të ngjashëm si kolegu i tij Ademi, ka edhe zëvendëskryetari i Këshillit të Prokurorëve Publik (KPP), Mexhit Jusufi. Ai vlerëson se gjuha shqipe në sistemi prokurorial, por edhe atë gjyqësor, do të zbatohet si duhet kur të bëhet punësimi i një numri të konsiderueshëm të përkthyesve ligjor.
“Përdorimi konkret i gjuhës shqipe në prokurori, gjatë fazave hetimore, parahetimore… nuk është bërë ende pasi që mungon numri i madh i përkthyesve të autorizuar. Duhet të pranohen përkthyes ligjore. Për momentin, këto përkthyes mund të numërohen në gishta. Ne në KPP ligjërisht nuk kemi kompetenca të drejtpërdrejta për ti urdhëruar prokuroritë që të punësojnë përkthyes. Detyrë e jona është çështja e emërimit dhe shkarkimit të prokurorëve publik. Kurse sa i përket punës së brendshme të prokurorive, më tepër është çështje e kryeprokurorit… Kjo çështje duhet të diskutohet në nivele më të larta dhe të bëhet një shpallje enkas për përkthyes të autorizuar ligjore. Jo vetëm në prokurori, por edhe në gjykata. Nuk është kjo çështje parciale. Kjo kërkon trajtim gjithëpërfshirës. Asgjë nuk kemi bërë nëse ne pranojmë (punësojmë) një përkthyes në Gostivar apo në Kumanovë”, tha Mexhiti.
Ndryshe, Ligji për themelimin e Inspektoratit shtetëror për përdorimin e gjuhës ka kohë i cili është prezent në Parlament. Por, koordinatorët e grupeve të BDI-së dhe LSDM-së, nuk ishin të kapshëm për të dhënë përgjigje se pse ende nuk votohet ky ligj, i rëndësishëm për monitorimin e gjuhës shqipe në institucionet vendase. (koha.mk)
Data 29.09.2026
Aktuale
- Kushtetuesja shpall afatin për zgjedhjen e Presidentit: Çfarë do të ndodhë tani?
- Zv/Presidenti i Hysenbelliu Group, Fatmir Hysenbelliu i ftuar në tryezën e rrumbullakët të Project Legacy në New York: Paqja e qëndrueshme, garancia e vetme për zhvillim gjithëpërfshirës
- Këshilli Bashkiak miraton propozimin e Veliajt/ Një pagë shtesë për zjarrfikësit e Tiranës, ja sa efektivë përfitojnë
- 122 ditë rezistencë/ Nga dorëheqja e kryeministrit tek qeveria teknike, aktivistja rilexon kërkesat e protestës
- Plagosje e rëndë në Miradi të Fushë Kosovës: Policia në kërkim të të dyshuarit
- Si ka mundësi që Rama punëson nga Kosova vetëm sojin që kanë probleme në Kosovë?
- Toshkovski: Lufta kundër trafikimit të drogës mbetet prioritet i MPB-së
- Botimet ALSAR marrin pjesë në Takimin Ndërkombëtar për Botimet Islame në Stamboll të IUIBP-së



