Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha mori pjesë në aktivitetin e zhvilluar nga të rinjtë në kuadër të 8 dhjetorit, Ditës së Rinisë.
Berisha mbajti një fjalim ku kujtoi disa momente nga 8 dhjetori i vitit 1990, ndërsa u ndal tek regjimi i asaj kohe, që sipas tij vriste të rinj çdo javë.
“Kjo diktaturë, në 46 vite të ekzistencës së saj vendosi mbi shqiptarët shtypjen më të egër që ata kishin njohur në tërë historinë. Vendosi diktaturën më të thellë të izolimit të tyre, sa kurrë ndonjëherë në histori. Vendosi tiraninë e urisë dhe skamjes që, shqiptarët s’e kishin njohur kurrë më parë nëpërmjet hiperkolektivizmit.
Rënia e murit të Berlinit dhe revolucionet demokratike të vitit 1989, pavarësisht prej tyre, Shqipëria mbetej siç e cilësonte partia staliniste dhe diktatori i fundi, si bastioni ose kështjella buzë Adriatikut e socializmit.
Regjimi, me propagandën e tij, fliste çdo ditë për demokratizimin, por vriste çdo javë të rinjtë, të cilët niseshin për të kaluar në botën e lirë. Dhe jo vetëm i ekzekutonte, por i sillte dhe i zvarriste kufomat e tyre në qytetet: Shkodër, Gjirokastër, Sarandë, Korçë, vetëm e vetëm për të terrorizuar popullatën.
Pikërisht, në këto rrethana, 34 vite më parë, një grup studentësh dalin në darkë në këtë shesh dhe nisin protestën e parë studentore në historinë e vendit. Rreshtojnë një seri kërkesash”, tha Berisha.
Gjithashtu ish-kryeministri foli edhe për situatën politike aktuale, duke drejtuar gishtin nga qeveria, që sipas tij është shndërruar në një diktaturë të re, që është më e rrezikshme se ajo e Enver Hoxhës.
“Studiuesit më të mëdhenj të diktaturave e kanë quajtur këtë diktaturë më të rrezikshme. Shqipëria sot po jeton një diktaturë, në të cilën të gjitha pushtetet janë në dorë të një njeriu, të një antishqiptari. Një diktaturë, e cila zgjedhjet i ka shndërruar në një fasadë, një diktaturë e cila ka rikthyer në Shqipëri, burgjet, arrestimet politike”, tha Sali Berisha, i cili theksoi se “në zgjedhjet e 11 majit shkojmë të sigurt, do pastrojmë shtëpinë tonë”.
Sali Berisha bëri thirrje që mosbindja civile do të vazhdojë edhe më tej