Të tjera detaje janë bërë publike në lidhje me plagosjen e një 17-vjeçari në Tiranë nga shoku i tij. Gazetarja Xhensila Kodra raporton se kur ndodhi ngjarja katër të rinj ndodheshin në banesën e 19 vjeçarit Rigers Sylaj, autorit të plagosjes aksidentale.
Mësohet se ata ishin duke konsumuar alkool dhe në një moment 19 vjeçari Sylaj ka marrë pistoletën për t’ja treguar shokëve dhe dyshohet se pa e ditur që në të kishte fishekë ia ka drejtuar në kokë shokut të tij 17 vjeçar.
Ky i fundit mori një plagë në kokë dhe ndodhet në Spitalin e Traumës në gjendje të rëndë. Sipas burimeve, 19 vjeçari së bashku me dy shokët e tjerë, përkatësisht 20 dhe 22 vjeç, të frikësuar e kanë nxjerrë shokun e tyre të plagosur në oborr pasi shtëpia është private dhe kanë njoftuar ambulancën.
Fillimisht ata kanë pohuar se kanë dëgjuar një të shtënë armë dhe shoku i tyre është plagosur në oborr. Por teksa janë marrë serish në pyetje kanë treguar se ishin duke pirë alkool në banesë dhe ngjarja ka ndodhur aksidentalisht teksa 19 vjeçari Sylaj po u tregonte pistoletën.
Sipas burimeve, arma e zjarrit ishte e 19 vjeçarit Rigers Sylaj. Mësohet se ai është djali i një ushtaraku.
Në përfundim të veprimeve hetimore 19 vjeçari u arrestua për veprat penale “Plagosja e rëndë nga pakujdesia”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”. Ndërsa dy shokët e tjerë për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.


