Shqipëria ka realizuar sot emetimin e Eurobondit 10-vjeçar në Bursën e Londrës. Sipas burimeve nga tregu financiar, shteti shqiptar emetoi Eurobonde për një vlerë totale prej 650 milionë eurosh, me një yield prej 5%.
Kërkesa për Eurobondet shqiptare e paraqitur nga investitorët ka qenë shumë e lartë dhe arriti shumën totale të 3.7 miliardë eurove. Fillimisht, Ministria e Financave pati hyrë në proces me një yield indikativ fillestar prej 5.5%, por kërkesa e madhe e tregut ka favorizuar një yield më të ulët se pritshmëritë.
Emetimi i sotëm ishte Eurobondi i dytë me maturim 10-vjeçar i qeverisë shqiptare, pas atij të vitit 2021. Edhe në vitin 2021 shuma e huasë kishte qenë 650 milionë euro. Yield-i pati rezultuar më i ulët, me 3.75%, por normat e interesit në tregjet ndërkombëtare ishin më të ulëta.
Procesi u zhvillua në nëntor 2021, para fillimit të valës inflacioniste dhe nisjes së ciklit rritës së nomrave të interesit nga bankat qendrore. Norma bazë e Bankës Qendrore Europiane për euron në periudhën ishte ende 0 (norma e depozitave -0.5%).
Aktualisht, norma baze e interesit për Euron qëndron në nivelin 2.9% (ajo e depozitave 2.75%).
Kthimi normave të interesit në kahun rënës e ka shtyrë Ministrinë e Financave t’i rikthehet afatit 10-vjeçar të maturimit, pasi në emetimin e fundit, të vitit 2023, doli me ofertë për një Eurobond 5-vjeçar.
Në përgjithësi, në emetimet e fundit investitorët e tregjeve financiare kanë shfaqur kërkesë të lartë për Eurobondet shqiptare, që duket se ofrojnë një raport të kënaqshëm mes përfitimeve dhe rreziqeve.
Ulja e borxhit publik në vitet e fundit (55.45% në fund të shtatorit 2024, sipas vlerësimit paraprak të Ministrisë së Financave) dhe ecuria e mirë e ekonomisë në periudhën pas pandemisë sollën edhe përmirësimin e vlerësimit të borxhin Sovran të vendit nga agjencitë S&P Global Ratings dhe Moody’s, vitin e kaluar.
Agjencia e vlerësimit “S&P Global Ratings” (Standard&Poor’s) në muajin mars 2024 përmirësoi për herë të parë vlerësimin afatgjatë të borxhit sovran të Shqipërisë nga B+ në BB-, ndërsa në tetor edhe agjencia tjetër Moody’s e përmirësoi vlerësimin nga Ba1 në Ba3.
Përmirësimi i vlerësimit të borxhit Sovran duket se ka ndikuar më tej pozitivisht në interesin e investitorëve për titujt e borxhit të qeverisë shqiptare.
Madje, për herë të parë vitin e kaluar, edhe tregu i instrumenteve të borxhit të qeverisë shqiptare në lekë ka tërhequr investitorë institucionalë nga jashtë.
Eurobondi prej 650 milionë eurosh do të shërbejë pjesërisht për të mbuluar deficitin buxhetor të parashikuar për vitin 2025 dhe pjesërisht për të rifinancuar Eurobondin e emetuar në 2018.
Nga Eurobondi 7-vjeçar prej 500 milionë eurosh i vitit 2018, një pjesë prej 133.3 milionë eurosh u shlye para afatit, nëpërmjet një procesi buyback (blerje mbrapsht), të vitit 2023. Shuma e mbetur prej 366.7 milionë eurosh, do të shlyhet në maturim, në vjeshtën e këtij viti, me fondet e siguruara nga Eurobondi i këtij viti.
Pjesa e mbetur, prej 283.3 milionë eurosh, do të shkojë për të mbuluar deficitin buxhetor të këtij viti./Monitor