Presidenti Ilir Meta, përmes një postimi në Facebook, tregon rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe ngecjen, sipas tij, kur në qeveri erdhi Edi Rama dhe Partia Socialiste.
Sipas kreut të shtetit, edhe pse Shqipëria firmosi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian që në vitin 2006, ndërsa Mali i Zi dhe Serbia 2012, 2014, ne mbetemi 9 vite pas Malit të Zi dhe 7 vite pas Serbisë.
“Në vitin 2006, Kryeministri Berisha firmosi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian, ndërsa Mali i Zi dhe Serbia e firmosën vite më pas.
Ndërkohë, që Mali i Zi i çeli negociatat me BE në vitin 2012 dhe Serbia në vitin 2014, ne, për shkak të Kryepatronazhistit, i cili ka shkallmuar rendin kushtetues dhe shtetin e së drejtës nuk kemi ende asnjë shans për t’i çelur këto negociata, nëse nuk triumfon bindshëm, siç do të ndodhë padiskutim, Referendumi i 25 Prillit.
Pse ne, populli më proeuropian i Ballkanit mbetëm 9 vite pas Malit të Zi dhe 7 vite pas Serbisë?
Sepse patronazhistët mendojnë, që të gjithë shqiptarët, të cilët kërkojnë llogaridhënie dhe të drejtat e tyre kushtetuese, duhet të dëbohen nga Shqipëria dhe të zëvendësohen me qytetarë nga vendet më të prapambetura të Azisë dhe Afrikës, që të çojnë përpara integrimin europian”.