Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov e shkarkoi gjykatësen Daniella Aleksovska Stojanovska nga pozita e anëtares së grupit punues për Kodin Penal në kuadër të ministrisë, për shkak të reagimeve në opinion se gjykatësja paraprakisht e ka shpëtuar nga burgu Vasill Jovanovin, i cili është kapur me lëndë narkotike, shkruan Alsat.
Jovanov, në vend që të ndodhej në burg, në gjendje të dehur, pa patentë shofer dhe në semafor të kuq, aksidentoi për vdekje 23-vjeçaren Frosina Kullakova. Filkov, kërkoi nga Këshilli Gjyqësor ta rishqyrtojë veprimin e gjykatës.
“I ftoj gjykatat e të gjitha instancave, por edhe Këshillin Gjyqësor që të ndërmarrin veprime me të cilat do të rishqyrtohet tërë rasti me humbjen e hershme të Frosinës. Ju informoj se sot kam miratuar vendim që ta shkarkoj nga anëtarësia në Grup Punues në Ministrinë e Drejtësisë, gjykatësin, emri i të cilit ka bërë bujë në opinion………. Qytetarët presin drejtësi, ndërkaq institucionet janë të detyruara ta ofrojnë shpejtë, drejtë dhe në mënyrë transparente. Ky rast është vetëm konfirmim i të dhënave për vlerësimin e punës së gjykatave të cilat u prezantuan vetëm para disa ditësh”, tha Igor Filkov, ministër i Drejtësisë.
Derisa vazhdon revolta e qytetarëve të cilët kërkojnë llogari, kreu i Këshillit Gjyqësor Aleksandar Kambovski, thekson se do të shqyrtohet rasti dhe nëse ka pasur shkelje do të ketë sanksione.
“Nuk e di konkretisht çështjen, nuk e di cilat kanë qenë provat, si ka qenë ngjarja dhe nuk do të guxoja të komentoj në lidhje me vendimin derisa nuk e shoh lëndën e plotë. Sigurisht, se do të shqyrtohet. Gjithkund ku ka lëshim, do të sanksionohet. Të gjithë angazhohemi për sundimin e ligjit, domethënë nuk njoh dikë që pajtohet që të na ndodhin gjendje të këtilla”, tha Aleksandar Kambovski, kryetar i Këshillit Gjyqësor.
Jovanov, i cili më 29 janar duke vozitur në gjendje të dehur, pa patentë shoferi dhe duke kaluar në semafor të kuq, e goditi për vdekje Frosinën.
Pavarësisht se është kapur me marijuanë dhe kokainë, në vend që të përfundojë në burg, gjykata i ka shqiptuar masë për dërgim në shtëpinë edukuese-korrektuese në Tetovë.
Megjithatë, Jovanov nuk ka shkuar në shtëpinë korrektuese pasi që lënda është në procedurë ankimuese në Apel. Qytetarët kanë shprehur revoltën ndaj veprimit të gjykatës nëpërmjet protestës./ Alsat.mk