Në një deklaratë publike të shpërndarë për mediat, Dr. Arben Ramkaj, Kryetar i Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar në Shqipëri, ka vlerësuar me nota të larta aktin e guximshëm të kryekomisarit Agim Troci, i cili u plagos rëndë teksa shpëtoi jetë njerëzish gjatë një zjarri në Delvinë.“Në një kohë kur vlerat shpesh relativizohen, shoqëria shqiptare ka nevojë më shumë se kurrë për modele të vërteta, për figura që frymëzojnë dhe japin shembullin e shërbimit pa interes dhe të sakrificës pa zhurmë. Agim Troci nuk është vetëm një punonjës i ndershëm i Policisë së Shtetit. Ai është një hero i heshtur që vendosi jetën e tij në rrezik për të shpëtuar jetën e të tjerëve. Kjo është më shumë se detyrë është mision,” theksoi Dr. Ramkaj.Duke e cilësuar aktin e kryekomisarit si shembull i heroizmit të heshtur, Ramkaj theksoi se figura si Troci përfaqësojnë virtytet më të larta morale të shoqërisë shqiptare, në një kohë kur besimi publik ka nevojë për shembuj të gjallë dhe të sinqertë.“Heroizmi i vërtetë nuk ndodh përballë kamerave, por larg syve të publikut, atje ku vihet në peshore jeta e dikujt për të shpëtuar jetën e një tjetri. Kjo është ajo që bëri Agim Troci ,një akt i heshtur që flet shumë më fort se çdo fjalë.Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar ka shprehur lutjen dhe solidaritetin e saj për shërimin sa më të shpejtë të kryekomisarit Troci, duke bërë thirrje për një respekt më të madh institucional dhe shoqëror ndaj atyre që, me sakrifica personale, mbrojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëve.“Si qendër që angazhohemi për paqe, solidaritet dhe bashkëjetesë, ndjejmë detyrimin moral të shprehim mirënjohjen më të thellë për veprime si ai i Agim Troçit ,të heshtura, por të fuqishme në vepra; të thjeshta në dukje, por të mëdha në shpirt,” u shpreh Dr. Ramkaj.“Të mos harrojmë asnjëherë se, ndërsa shumë zgjedhin të heshtin përballë rrezikut, ka ende njerëz që zgjedhin të hyjnë mes flakëve për të shpëtuar jetë. Ata janë frymëzimi ynë,” përfundon deklarata.








