Janë disa dilema që parashtrohen nëse etika, mediat dhe reklama në Maqedoni, kanë një koncept të kundërt.
Diskutimi për etikën në gazetari zakonisht nuk është i bindshëm për shkak të vlerave dhe interpretimeve të ndryshme që kanë njerëzit.
Ideja për etikë mediatike në nivel global, para se gjithash, rrjedh nga angazhimet për ndryshime, reforma dhe përmirësime të sistemit global mediatik me qëllim që të mënjanohen problemet dhe pabarazia që dalin nga kontrolli dhe pabarazia, raporton Almakos.
Në veprën “Kundërthëniet në etikën mediatike“ thuhet se, edhe përkundër faktit se faktorët e jashtëm ndikojnë në jetën etike të individëve, megjithatë, gjithçka konsiston në vlerat individuale morale. Rrjedhimisht, edhe produkti përfundimtar varet nga vendimet e tyre etike.
Në veprën e njëjtë, Dejvid Gordon pohon se, edhe përkundër faktit se etika individuale luan rol në produktin mediatik, faktorët ekonomikë, politikë dhe shoqërorë ndikojnë te punonjësit e medieve në nivel shumë më të fuqishëm.
Sipas Gordon, ky rast haset sidomos kur bëhet fjalë për korporata ose konglomerate më të mëdha mediatike.
Kolumnisti, në “New York Times” ka shumë më pak liri të shkruajë për atë që do, se sa ndonjë gazetar në gazetë të vogël lokale. Ekonomia në shitjen e gazetave dominon në raport me vendimet etike.
Liria më e madhe në medie nënkupton gazetari më aktive dhe vetëdije më të madhe për nevojën për standarde, me qëllim që të sigurohet cilësi dhe të shmanget keqpërdorimi.
Agron Kurtishi, profesor Universitar nga Fakulteti ‘Gjuhët, kulturat dhe komunikimi’ thotë se reklamat janë pjesa më e veçantë për të ekzistuar një media, mund të ketë probleme etike në shfaqjen e saj.
“Reklama në televizion është një element shumë i rëndësishëm për shtëpitë mediatike, të cilat përfitimet kryesore i marrin nga vetë reklama dhe njëfare përparesie të vogël mund të ketë edhe për konsumatorin, i cili informohet për produktet e ndryshme. Reklama nëpër shtete multietnike mund të ketë probleme etike në shfaqjen e saj, probleme këta, që nga mediat rrallë merren parasysh por, për konsumatoret shfaqja e reklames problematike për nje kohë të gjatë mund të sjellë probleme të natyrave të ndryshme si frustracion, dezorientim, përkatësi, probleme kulturore etj”, ka shkruar Kurtishi, transmeton Almakos.
Ai shton se mediat janë pjesë e përditshmërisë së shoqërisë tonë dhe duhet t’u kushtohet vemendje e madhe në çështjen e etikës.
“Nëse shteti i Maqedonisë synon të jetë një shtet multietnik atëherë ky synim është në një kontradiktë të fortë me mediat dhe në veçanti me reklamën. Nëse problematikat e tjera të këtij shteti reflektojnë direkt në shoqëri dhe si pasojë edhe reagimi është i shpejtë, problemet etike nëper media futen në mënyrë të fshehur në shoqëri. Ata ndikojnë ngadalë por sigurtë. Por, reagime nuk ka, pasi mediat e trajtojnë këtë sikur e gjithë kjo problematikë të mos jetë problematike dhe në fund duket sikur është e vetëkuptueshme. Meqë mediat ndiqen çdo ditë dhe me këtë ndikojnë çdo ditë në natyrën njerëzore, atyre do të duheshte t’iu kushtohet më shumë rëndësi në aspektin e etikës. Le të themi që kodet etike të mediave të mos mbesin vetëm në letër, por të implementohen dhe të zbatohen në praktikë sepse, vetëm kështu do t’i bëjnë mirë shoqërisë, e cila, mbi të gjitha, rrezikohet çdo ditë e më shumë nga përdorimi i mediave”, shkruan Kurtishi.
D.K
Almakos.com

