Shkupi, Tetova, Kumanova, Ohri, Struga dhe Gostivari janë komunat me më së shumti raste aktive të Covid-19.
RASTET AKTIVE ME COVID-19
Shkup – 5833
Tetovë – 1016
Kumanovë – 914
Ohër – 668
Struga – 638
Gostivar – 530
Sipas autoriteteve shëndetësore, më së shumti nga Covid-19 pësojnë personat e pavaksinuar, ndërkaq sa i përket komunave, nga Ministria e Shëndetësisë thonë se më shumë raste aktive ka nëpër vendet ku vaksinimi është i ulët. Mirëpo kështu nuk mendon edhe kryetarja e mjekëve privat. Mjekja Lilija Çollakova vlerëson se numri i lartë i infeksioneve vjen si pasojë e mos respektimit të protokolleve nga ana e qytetarëve. Ajo vlerëson se vaksinimi nuk ka të bëje me numrin e lartë të të infektuave nëpër komuna, ngaqë siç shprehet edhe të vaksinuarit rezultojnë pozitiv.
“Kjo varet nga më shumë faktorë, varet se kush sa i respekton protokollet dhe sa ruhen njerëzit, kontaktet mes tyre, tani edhe moti është i ndryshueshëm, është i volitshëm për përhapjen e viruseve sepse mëngjeset janë me temperatura shumë të ulta, pastaj është shumë nxehtë dhe pastaj mbrëmjet janë të ftohta dhe viruset janë aktive këtë periudhë. Prandaj duhet ndjekur situate sepse ka pacientë që janë pozitivë por nuk kanë simptoma dhe ka pacientë që janë negativë por kanë simptoma sikurse të koronës”, tha mjekja Çollakova.
Çollakova thotë se pacientët vonë paraqiten në mjek edhe për sëmundje tjera, duke u frikësuar se mund të rezultojnë pozitivë nga Covid-19. Sipas saj ora policore ose masa shtesë nuk janë të nevojshme për ta luftuar numrin e lartë të infeksioneve, por duhet bashkëpunim më i lartë i pacientëve me mjekët amë.
“Jo nuk do të doja masa të tilla ngaqë nuk është vetëm korona, përsëri do të them, është shumë i lartë numri i pacientëve që duke u frikësuar nga korona janë sëmurë dhe nuk janë kontrolluar për diabet, kancer dhe sëmundje tjera, sëmundjet malinje janë në rritje, kështu që vlerësoj se nëse dikush është i sëmurë ne të gjitha institucionet shëndetësorë jemi këtu për të ndihmuar, por sistemi shëndetësor nuk guxon të bllokohet. Nuk guxojmë të mbajmë kohë të gjatë gjendje të frikës dhe paniku sepse ka shumë njerëz të frikësuar dhe druajnë të shkojnë në kontrolle tjera”, shtoi më tej ajo.
Nga popullsia e përgjithshme në vend, 37% janë vaksinuar, që sipas Ministrit të Shëndetësisë është një përfshirje e vogël dhe nevojitet një proces shumë më i madh për të arritur imunitetin kolektiv dhe për të ndryshuar situatën me epideminë.