Shkupi është qyteti me koston më të ulët të jetesës, por njëkohësisht edhe me cilësinë më të dobët të jetës në mesin e dhjetë qyteteve të rajonit të Adrias të përfshira në një analizë ndërkombëtare. Këtë e tregojnë të dhënat e platformës Numbeo, të publikuara nga Visual Capitalist dhe të analizuara nga Bloomberg Adria.
Analiza, e cila përfshin 125 qytete evropiane, tregon se Shkupi ka indeksin më të ulët të cilësisë së jetës në rajon, me 117,2 pikë, ndërsa indeksi i kostos së jetesës është 39,4 pikë.
Në krye të renditjes rajonale qëndron Osijeku i Kroacisë, me indeks të cilësisë së jetës prej 195,5 pikësh, i ndjekur nga Rijeka me 181,7, Lubjana me 178,3, Zagrebi me 178,1 dhe Spliti me 175,4 pikë.
Edhe qytetet e tjera të rajonit kanë rezultate më të mira se Shkupi. Novi Sadi ka indeks prej 147,2 pikësh, Banja Lluka 137,1, Sarajeva 134, ndërsa Beogradi 121,9 pikë.
Sa i përket kostos së jetesës, Lubjana rezulton qyteti më i shtrenjtë në rajon, me indeks prej 60,2 pikësh, ndërsa Shkupi mbetet më i liri.
Vlerësimi i cilësisë së jetës bazohet në disa tregues, përfshirë fuqinë blerëse, sigurinë, shërbimet shëndetësore, çmimet e banesave në raport me të ardhurat, ndotjen e mjedisit, trafikun dhe kushtet klimatike. Një pjesë e të dhënave mbështeten edhe në përvojat dhe perceptimet e përdoruesve të platformës Numbeo.
Analiza bazohet në të dhënat e gushtit të vitit 2026 dhe nxjerr në pah se kostoja më e ulët e jetesës nuk nënkupton domosdoshmërisht kushte më të mira për qytetarët.



