Atmosfera festive dhe krenaria kombëtare kanë pushtuar rrugët e Shkupit gjatë gjithë ditës së sotme. Analisti Arsim Zekolli, i prekur nga pamjet emocionuese, ka përshkruar një ditë të paprecedent të manifestimit të identitetit dhe dinjitetit kombëtar shqiptar në kryeqytet.
“Nuk gjej fjalë dot për ta përshkruar atmosferën sonte, në këtë moment, nëpër rrugët e Shkupit,” – shkruan Zekolli.
Sipas tij, që nga ora 9 e mëngjesit, byrektorja e lagjes ka qenë e mbushur me fëmijë fillorist të veshur kuq e zi, që ecnin rrugëve me flamuj shqiptarë dhe plisa në kokë.
“Gjatë tërë ditës, nuk kaloje pesë metra pa parë të rinj e fëmijë në veshje dhe ngjyra kombëtare,” thekson ai.
Kjo atmosferë kulmoi në mbrëmje, kur rrugët e Shkupit u mbushën me të rinj, muzikë, flamuj, valle dhe brohoritje festive, duke krijuar një pamje emocionuese të shpërthimit të rinisë dhe krenarisë kombëtare.
Zekolli e mbyll përshkrimin e tij me një mesazh simbolik, të mbushur me emocion e domethënie historike:
“Bac, nipat e mbesat i ke për merak, rri rahat!” (INA)


