Shkupi edhe këtë mëngjes është qyteti më i ndotur në Evropë, sipas të dhënave aktuale të platformës “IQ Air”, transmeton Portalb.mk.
Me Indeksin e Cilësisë së Ajrit prej 169, ajri në Shkup vlerësohet si i pashëndetshëm. Vlera e grimcave PM 2.5 është 80.5 mikrogramë për metër kub.
Përveç që është qyteti më i ndotur në Evropë, Shkupi sot në mëngjes renditet edhe në vendin e shtatë për nga ndotja në botë.
Përpara saj janë qytetet Lahor (Pakistan), Delhi (Indi), Hanoi (Vietnam), Katmandu (Nepal), Çongqing (Kinë) dhe Dhaka (Bangladesh).
Qyteti tjetër evropian me ndotjen më të madhe të ajrit sot është Prishtina (Kosovë), ku cilësia e ajrit gjithashtu vlerësohet si e pashëndetshme, me indeks të ndotjes prej 158. Prishtina renditet e 13-ta për nga ndotja në botë.
Shkupi këtë sezon dimëror shpesh dominon në mesin e qyteteve më të ndotura në Evropë dhe në botë, sipas “IQ Air”.
Në dhjetor, në kryeqytet u mbajtën dy protesta kundër ndotjes së ajrit. Qytetarët kërkuan qasje urgjente, sistematike ndaj ndotjes së ajrit, përmes zbatimit të masave efikase që do të mbrojnë shëndetin e qytetarëve.
Sipas raportit të UNICEF-it, në Maqedoninë e Veriut, vdekjet e të porsalindurve nga ndotja e ajrit janë 11,6 përqind ose 1 në 9 vdekje të fëmijëve nën moshën njëvjeçare.
Sipas raportit të vitit 2023 të Institutit për Shëndet Publik të RMV-së, pothuajse 18 përqind e mortalitetit të përgjithshëm në Maqedoninë e Veriut mund t’i atribuohet ekspozimit ndaj përqendrimeve aktuale të grimcave PM-2.5.