17 Janar
Në Shkup u shënua 550 vjetori i vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Manifestimi kryesor ishte në sheshin “Skënderbeu” dhe në të morën pjesë funksionarë të lartë shtetëror të cilët vendosën lule si shenjë nderimi për figurën dhe të bëmat e Skënderbeut. Kreu i BDI-së Ali Ahmeti tha se kujtimi për Skënderbeun do jetojë për shumë gjenerata.
Skënderbeu është figura më emblematike e shqiptarëve, e popujve të Ballkanit, frymëzim në shekuj ka qenë për të gjithë popujt e shtypur. Skënderbeu mbetet figura qendrore për të gjithë liridashësit. Sot me krenari mund të them që edhe vet Marrëveshja e Ohrit është fryma skenderbegiane dhe me krenari ne këtë figurë të madhe sot e përkujtojmë përkundër asaj që pushtues kanë bërë përpjekje në vazhdimësi që gjithçka të fshihet, të shlyhet nga kujtesa e shqiptarëve që heroi ynë kombëtar të mos lejë gjurmë – deklaroi Ali Ahmeti, lideri i BDI-së.
Ndërkohë, gjatë Akademisë solemne në Kuvend u promovua pulla postare me fytyrën e Skënderbeut Kryeparlamentari Xhaferi tha se figura e Skënderbeut është një figurë shumë e rëndësishme për gjithë shqiptarët.
Nëse vetëm në mënyrë sipërfaqësore shihen faktet historike të ndërlidhura me Gjergj Kastriotin, pa dallim se ai është feudal shqiptar, idetë e tij, angazhimet e tij dhe gjithsesi, lufta e tij për liri dhe fitoret ushtarake kundër ushtrisë otomane, kanë shumë elemente të asaj që sot për të gjithë ne është ideal – tha Talat Xhaferi, kryetar kuvendi.
Përfaqësuesi i Institutit të trashegimisë kulturore dhe shpirtëror të shqiptarëve, Skënder Asani, thotë se përkundër shtrembërimeve të histories, Skënderbeu mbetet figura më e rëndësishme e shqiptarëve.
Skënderbeu është figura që sot u flet shqiptarëve përmes unitetit të kombit dhe përmes kultivimit të gjuhës e kulturës kombëtare. Madje, edhe përkundër faktit se disa historianë dhe tifozë të ndryshëm e kanë paraqitur Skënderbeun sipas prirjeve e kërkesave të tyre ideologjike, varësisht edhe sipas nevojave të kohës, më lëjoni të konstatoj se shqiptarëve u duhet sot një Skënderbe i rilindjes kombëtare, një Skënderbe i cili i bashkon shqiptarët – u shpreh Skender Asani.
Përvjetori i vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu u shënua edhe në Shqipëri dhe Kosovë.
Alsat-M

