Shkollat po bëjnë përgatitjet e fundit për të aktivizuar sistemin e ngrohjes varësisht ngrohjes që kanë në përdorin. Në nëntë shkolla të Komunës së Çairit, pesë shfrytëzojnë ngrohje qendrore ndërsa të tjerat ngrohje me naftë. Nga Sektori për Arsim i kësaj komune thanë për Alsat se shkollat dhe çerdhet në këtë territor nuk rrezikojnë të mbeten pa ngrohje pavarësisht disa borxheve të mbetura ndaj ngrohtores.
“Për sistemin me ngrohje qendrore janë paguar disa nga borxhet e kaluara pasi që kemi pas problem vitin e kaluar me shkurtimin e disa bllok dotacioneve që i bëri Ministria e Arsimit na ngelën shumë borxhe. Komuna me buxhetin vetanak ka intervenuar direkt në mënjanimin e disa borxheve nga sistemi qendror ndërsa për ngrohjen me sistem me naftë është furnizimi publik, është siguruar deri më 15 prill sezoni i ngrohjes, asnjë shkollë nuk do të ketë problem sa I përket furnizimit me naftë dhe me ngrohje”, tha Ferdi Baftiu, Komuna Çair.
Kompania për furnizim me avull dhe ujë të ngrohtë Energy Ecolink, që ka zëvendësuar ish-ngrohtoren Shkup-Veri tha për Alsat së asnjë nga institucionet parashkollore dhe shkollore nuk do të mbetet pa ngrohje pavarësisht borxheve të mbetura ndaj kësaj kompanie. Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Haraçinës, Ridvan Ibrahimi tha se sezoni i ngrohjes në tre objektet shkollore për herë të parë do të bëhet me ngrohje termike duke zëvendësuar atë me naftë siç ishte deri më tani.
“Kemi siguruar pompa termike për ngrohje qendrore ku në këtë rast nuk do të jetë më e nevojshme lënda djegëse siç ka qenë më herët nafta. Me këtë avancim, mendoj që tash e kohës është, kanë treguar një kualitet të lartë për ngrohje qendrore pompat termike dhe këto tre objekte në nivel komunal këtë vit do të fillojnë me këtë metodë të ngrohjes dhe padyshim do të jetë një kursim i madh për shkollat dhe me shpresë që kjo do të vazhdojë edhe për objektet tjera në të ardhmen”, u shpreh Ridvan Ibrahimi, kryetar i Komunës së Haraçinës.
Ibrahimi tha se fondet e kursyera nga ngrohja do të përdoren për investime të reja në objektet shkollore. Komisioni Rregullator i Energjetikës tashmë ka paralajmëruar se sezoni i ngrohjes fillon më 15 tetor 2024 dhe mbaron më 15 prill 2025./Alsat.mk