Shkolla në Reçicë të Vogël e cila premtohet nga kryetarja e komunës së Tetovës gati 9 vite, filloi të ndërtohet 13 ditë para zgjedhjeve parlamentare të këtij viti ndërsa siç thonë autoritetet, parashihet të përfundoje në qershor të vitit 2021. Zgjedhjet lokale do të mbahen në tetor 2021. Punimet në terren vazhdojnë, ka verifikuar Portalb.mk.
Ekipi jonë ishte të enjten (3 dhjetor) në vendin ku po ndërtohet shkolla fillore në Reçicë të Vogël, edhe pse në ato momente mjete punuese kishte, punëtorë nuk prezent nuk kishte.
Megjithatë, banorët e lagjes përreth theksuan se aty çdo ditë punohet, duke shtuar se edhe përkundër kësaj, ata nuk besojnë se ky premtim do të realizohet ndonjëherë.
“Po, ka punëtorët, punohet çdo ditë. Po nuk e di çfarë bëjnë, unë nuk besoj, nuk është hera e parë që vijnë punëtorë, gjithmonë del diçka, e ndërpresin, jo nuk besoj se do të ndërtohet kjo shkollë” tha një nga banorët e lagjes ku parashihet ndërtimi i shkollës fillore.
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës shprehen “të habitur pozitivisht” për dinamikën e punimeve për ndërtimin e kësaj shkolle, ata premtuan se e njëjta do të përfundoje në qershor të vitit 2021.
“Aktivitetet për ndërtimin e objektit të ri shkollor për nevojat e shkollës fillore “Naim Frashëri” në Reçicë të Vogël, komuna e Tetovës, po realizohet në mënyrë intensive, gjegjësisht nuk ka ndërprerje, në të kundërtën dinamika e punimeve momentalisht ka tejkaluar planin e paraparë” thanë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Rikujtojmë se zgjedhjet lokale do të mbahen në tetor të vitit 2021
Gjithsej, qytetarëve të Maqedonisë së Veriut ndërtimi i kësaj shkolle e cila është nevojë shumëvjeçare e banorëve të Reçicës së Vogël ju ka kushtuar 84,34 milion denarë.
Praktika 8 vjeçare thotë se kjo temë hapet gjithmonë para cikleve zgjedhore.