KF Shkëndija ka reaguar ndaj vendimit të fundit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), duke paralajmëruar se sponsori i klubit po shqyrton seriozisht mundësinë e tërheqjes nga futbolli në Maqedoninë e Veriut nëse vendimi nuk rishikohet, raporton Almakos.
Në reagimin e tyre thuhet se Shkëndija ka qenë ndër klubet më korrekte dhe më serioze në vend, duke respektuar të gjitha obligimet sportive dhe financiare, ndërsa ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ngritjen e koeficientit të futbollit maqedonas përmes paraqitjeve në garat evropiane.
Në vijim komunikata e plotë e KF SHKËNDIJA:
Pas vendimit të fundit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM) ndaj KF Shkëndijës, sponsori i klubit kërkon që ky vendim skandaloz të rishikohet dhe të korrigjohet urgjentisht.
KF Shkëndija ka qenë ndër klubet e pakta që ka funksionuar me seriozitet, korrektësi dhe përputhshmëri të plotë me obligimet sportive e financiare. Kontributi ynë ndër vite ka pasur kosto, mund dhe sakrifica të mëdha. Për më tepër, Shkëndija është klubi që me paraqitjet dinjitoze në Evropë ngriti koeficientin e ligës, nga i cili përfitojnë të gjitha klubet vendore dhe falë të cilit, nga viti i ardhshëm, futbolli ynë do të ketë një vend shtesë në kupat evropiane.
Prandaj, është e papranueshme që me vendime të marra në tavolinë të dëmtohet një projekt serioz dhe ky kontribut të shpërblehet me goditje të qëllimshme. Kjo qasje na shtyn të shqyrtojmë edhe opsionin e tërheqjes nga klubi/futbolli në Maqedoni të Veriut. Nëse FFM nuk e tërheq këtë vendim, atëherë ne si sponsor do ta shqyrtojmë seriozisht vazhdimin e mëtutjeshëm, pasi që ky vendim i cenon të drejtat dhe politikat e klubit.
Presim që organet e FFM-së të reflektojnë me urgjencë, në interes të drejtësisë sportive, klubit dhe të ardhmes së futbollit në përgjithësi.


