Alsat 2019-09-04T14:58:41+02:00
Këshilli i Prokurorëve Publik nuk deklasifikon raportin në të cilin rekomandohet shkarkimi i prokurores speciale, Katica Janeva. Në përgjigjen e Këshillit, duke u thirrur në Ligjin e Procedurës Penale, thuhet se raporti duhet shqyrtuar në mbledhje me dyer të mbyllura me qëllim që të mos dëmtohet procedura hetimore. Kreu i Komisionit parlamentar për zgjedhje dhe emërime, Ilija Dimovski ka caktuar për të enjten mbledhjen e komisionit në të cilin do ta shqyrtojë raportin. Dimovski ditë më parë kërkoi që mbledhja të jetë publike dhe raporti të deklasifikohet me qëllim respektimin e interesit të madh publik. Madje Dimovski i bëri thirrje edhe kreut të Këshillit të Prokurorëve, Aco Kolevski dhe të gjithë deputetëve që kanë certifikata sigurie të marrin pjesë në mbledhje.
Pasi Komisioni për zgjedhje dhe emërime me shumicë votash të miratojë konkluzionin, para thirrjes së seancës plenare, Dimovski pretendon konsensus mes katër partive më të mëdha politike në Kuvend mbi propozimin për shkarkimin e Janevas. Për këtë kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi ka njoftuar se tre partitë më të mëdha politike në Kuvend janë, LSDM, VMRO-DPMNE dhe BDI, ndërsa pozicionin e katërt e ndajnë tre subjekte politike me nga tre deputetë, mes tyre edhe Aleanca për Shqiptarët.
Jo zyrtarisht mësohet se pas votimit në Kuvend me 2/3 e votave për shkarkimin e Janevas nga Prokuroria Speciale dhe pas kthimit të saj ashtu siç parashikon ligji në Prokurorinë Themelore amë, Këshilli i Prokurorëve Publik, mbi bazën e veprimeve të saj në rastin “Perandoria”, do t’i merr mandatin Janevës që kjo e fundit të mos mund asnjëherë më të ushtrojë profesionin e prokurores. Ky veprim pritet të ndodh pas 15 shtatorit dhe para përfundimit të procesit gjyqësor për rastin “Reket”.
Raporti i klasifikuar prej 10 faqeve i Këshillit të Prokurorëve e që i referohet veprimeve të Janevës në rastin “Perandoria”, përmban elemente të mjaftueshme që Komisioni për zgjedhje dhe emërime të konkludojë ndërsa më pas Kuvendi ta shkarkojë Katica Janevan nga posti i të parës së PSP-së. Kështu pretendon deputeti Ilija Dimovski i cili udhëheq Komisionin për zgjedhje dhe emërime.
Adrian Kerimi
Loading…



