Në trotuarin e Bit Pazarit janë mbi 50 tezga, që ofrojnë veshmbathje, pjesë dhe pajisje të ndryshme teknologjike. Në pjesën e brendshme shitësit paguajnë taksa komunale, njohton Almakos.
Ndërsa, disa tezga janë të vendosura në trotuaret e bulevardit “Krste Misirkov”, si dhe në bulevardin “Goce Delçev”, deri në afërsi të xhamisë “Allaxh”, të cilat janë të paligjshme. Qytetarët, të cilët luajnë rolin e shitësit dhe tregtojnë me gjësendet e vjetra ose produkte të dorës së ditë. Produkte që shesin i blejnë në tregun me shumicë , më lirë dhe shesin me një përqindje pak më të madhe, të cilëve u sjell fitim. Nga të ardhurat ushqejnë familjet. Të gjithë “tregtarët”, e paligjshëm, kanë vendosur një tavolinë në trotuar dhe mbi të produktet, që ata dëshirojnë ti shesin, deri te blerësi. Ata fitojnë sa për të marrë “një pagë”, që të ushqehen. Nuk kanë mundësi të paguajnë taksë për tokën e uzurpuar. Dalin që në orët e hershme të mëngjesit, por ndodh që ikin herët, pa rënë muzgu i natës.
Janë vazhdimisht në mbikëqyrje të organeve policore, që ndërmarrin, shpesh aksion, për largimin e shitësve të paligjshëm. “Tregtarët”, thonë se nëse nuk largohen para se të fut këmbën policia, në treg, atyre u konfiskohet malli dhe paditen me gjoba të larta. Gjoba, të cilat nëse nuk paguhen në afat të caktuar, gjobitësi detyrohet të punojë “hamall”, për këtë shtet, pa pagesë, derisa të mbulojë taksën e dënimit.
“Tregtarët” e Bit Pazarit, nuk kanë të ardhura. Edhe ndihma sociale që marrin nga shteti nuk korrespondon me shpenzimet që kërkon jeta, e tyre. Prandaj, për shpagimin e dënimit do të detyrohen të përdorin krahun e punës. “Shtatë vite që punoj në këtë treg. Thonë se është e paligjshme puna ime, por nuk fitoj aq sa të pagojë një taksë – qira, që kushton mbi 4000 denarë. Në ditë mund të fitoj 200 – 250 denarë. Kjo është shuma më e lartë, ndonjë ditë më pak, ose aspak. Me këtë punë mbaj nënën, e cila është e sëmurë, e cila është 55 vjeçare dhe konsumon barëra të shtrenjta. Babai më ka vdek. Ndihma që marrim nuk është e madhe, prandaj dal të punoj që të fitoj, për të mbuluar shpenzimet e jetës. Por, para disa javëve më ka zënë policia dhe më kanë dënuar, për arsye se punoj ilegalisht. Dënimi është 50 euro. Më kanë dhënë afat, të bëj pagesën. Nëse nuk e paguaj, gjë që ku ti gjej këto para, do të më dërgojnë të pastroj rrugë”, thotë shitësi Ridvan Asllani. Ata i dërgojnë në kompaninë “Higjiena Komunale”, të cilët i detyrojnë të pastrojnë sheshin “Leka i Madh”, pjesë të qendrave kryesore të qytetit.
Të njëjtin problem e kanë edhe shumë shitës të Bit Pazarit. ” Shes ëmbëlsirë me susam, kikiriku, leblebi, hallvë, i blej 13 denar dhe i shes 15 denarë, duhet të shes mbi 50 copë, që të fitoj 150 denarë. Dal në Pazar, për të fituar. Me ndihmën sociale nuk mbijetohet. Policia më ka dënuar, para dy javëve. Policia nuk e kupton, unë dal për bukë. Jam invalid, në dorën e djathtë. Nuk do të arrij të bëj pagesën e dënimit me punën që na udhëzojmë të fshijmë rrugët. Jemi në hall”, thotë shitësi Adem Shabani.
Ndërsa, një shitës tjetër thotë se është mundësia e vetme të qëndrojnë me orë të gjata në trotuaret dhe të shesin produktet, të cilat i blejnë më lirë, për disa denarë më pak, që të fitojnë e mbijetojnë. “Nëse kisha mundësi tjetër, nuk do të dilja të shes në këto kushte të pa volitshme. I ulur në një karrige plastike, me një tavolinë, të ndërtuara nga duart e mia. Kam dal të fitojë një rrogë”, thotë Semi Avdiu, i cili shet kapakë celulari.
Ndërsa, një grua mbi 50 vjet, ka vënë një karton dhe sipër tij pajisje elektronike, të vjetra. Ajo i shet me çmim shumë të volitshëm, janë funksionale, por thotë se këtë punë e bën për ti shkolluar fëmijët e saj, të cilët nuk kanë dëshirë që e ëma të bëjë këtë lloj pune.
Në këtë pjesë të tregut shpesh janë larguar tezgat të vendosura në mënyrë të paligjshme, por qytetarët “tregtar”, nuk ndërgjegjësohen, për arsye se ata nuk kanë të ardhura të tjera, ose marrin një ndihmë sociale, që nuk u mundëson të blejnë ushqim deri në fund të muajit as edhe të shlyejnë taksat komunale, që janë të detyrueshme. “Tregtarët”, jashtë normave ligjore kërkojnë zgjidhje të problemeve aktuale, gjetje një punë, pa presion.
Delvina KËRLUKU
Almakos.com

