Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë në kumtesën e sotme e përshëndet vendimin e Gjykatës Evropiane për të Drejta të Njeriut për rastin “Selmani dhe të tjerët kundër Republikës së Maqedonisë” lidhur me ngjarjet e 24 dhjetorit të vitit 2012 kur gazetarët u larguan nga galeria e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.
Aktvendimi i Gjykatës evropiane, siç thonë nga SHGM, konstaton shkelje të dy të drejtave të garantuara me Konventën e Evropës pë të drejta të njeriut dhe atë: E drejta e lirisë së të shprehurit nga neni 10 dhe e drejta e gjykimit të drejtë nga neni 6 i Konventës.
“Ky aktvendim është i pari me të cilin konstatohet shkelja e lirisë së të shprehurit dhe është i rëndësishëm për demokracinë dhe sundimin e së drejtës në Republikën e Maqedonisë. Njëkohësisht, aktvendimi është edhe fitore e komunitetit gazetaresk i cili tregoi se për drejtësi çdoherë vlen të luftojmë. Drejtësia ndoshta është e ngadalshme por çdoherë fiton”, thuhet në kumteësn e SHGM-së.
Sipas SHGM-së, aktvendimi kontribuon që në Maqedoni të krijohet kulturë juridike dhe të afirmohet parimi i respektimit të të drejtave themelore dhe lirive të njeriut.
“Ky aktvendim paraqet dëshmi se institucionet në Republikën e Maqedonisë dështuan në përmbushjen e detyrës së vet themelore për t’i mbrojtur dhe promovuar të drejtat e njeriut”, ceket në kumtesën e SHGM-së.