Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatikë (SPGM) dënojnë ashpër postimet e ish-kryeredaktorit të një televizioni kombëtar, Dragan Pavlloviq Llatas, i cili gjatë ditëve të fundit ka shënjestruar gazetarë nga disa media përmes një faqeje private në rrjetin social Facebook, duke keqpërdorur fotografi nga profilet e tyre private dhe duke i përdorur ato në postimet e tij, transmeton Portalb.mk.
Ndër mediat e shënjestruara janë Laboratori i Gazetarisë Hulumtuese (IRL), 360 gradë, BIRN Maqedoni, si dhe organizata të tjera që punojnë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Në postimet e tij, Llatas shpërndan akuza të pabazuara dhe teori konspirative me synim diskreditimin e gazetarëve dhe mediave që informojnë në mënyrë profesionale për çështje të rëndësishme shoqërore. Kjo strategji e shënjestrimit dhe stigmatizimit publik të gazetarëve, të cilët janë vlerësuar në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar për punën e tyre, në mandate të ndryshme qeveritare, përbën një sulm serioz ndaj lirisë së shprehjes dhe gazetarisë së pavarur në vend.
Veçanërisht shqetësues është fakti që kjo retorikë jo vetëm që nxit gjuhën e urrejtjes, por gjithashtu çon në kërcënime serioze ndaj gazetarëve, ku gazetaret femra bëhen veçanërisht objekt i sulmeve seksiste dhe mizogjene në komentet nën postimet e Latasit.
“Këto janë prostituta, nuk bëjnë punë për asgjë”, “Këta nuk janë njerëz për t’u komentuar, mund t’i shohësh në parkingjet e kamionëve”, “Mendoj se së shpejti do të ketë shkatërrim dokumentesh ose zjarrvënie të qëllimshme në zyrat e këtyre lavireve të paguara…”, “Do të ishte më mirë që edhe ata të digjen bashkë me dokumentet!” – janë vetëm disa nga komentet.
Përveç kësaj, një pjesë e komenteve kërcënuese në profilin e Dragan Pavlloviq Llatas vijnë nga persona me të kaluar kriminale dhe individë të diskutueshëm në rrjetet sociale, duke rritur shqetësimin për sigurinë e gazetarëve që punojnë në këto media.
“I kujtojmë përdoruesit e rrjeteve sociale se kërcënimi ndaj sigurisë së gazetarëve është një vepër penale, ashtu si edhe përhapja e gjuhës së urrejtjes, për të cilat gjykatat e Maqedonisë kanë vendosur dënime të ashpra. Njëkohësisht, i bëjmë thirrje publikut të njohë dhe dënojë përpjekjet e tilla për diskreditim dhe kërcënim ndaj gazetarëve, ndërsa nga institucionet përgjegjëse – Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike – kërkojmë reagim të menjëhershëm dhe marrjen e masave për mbrojtjen e lirisë së medias dhe sigurisë së gazetarëve”, thuhet në reagim.