Me 2 qershor të vitit 2024, destinacioni i bjeshkatarëve të Shoqatës Bjeshkatare Alpiniste “Karadaku” ishte Maja e Lubotenit, 2498 metra e lartë.
Bjeshkatarë nga Kumanova, Komuna e Likovës, Gjilani, Prishtina, miq nga El Salvador u bënë bashkë nën dirigjimin e Avni Dakut nga Gjilani për ta përshkruar këtë shteg përallorë.
Për ata që merren me sportin e bjeshkatarisë, e dinë fort mirë se Maja e Lubotenit është shkolla e bjeshkatarisë. Nuk guxon të synosh ngjitjen e majave tjera si Mont Everest, ose Kilimanxharo, pa u kalitur si çelik, në stepat, gurët, pjerrinat e lartësitë e Majës së Lubotenit.
Mësuam për durimin, qëndrueshmërinë dhe solidaritetin! Cilësi këto që janë të nevojshme për të gjitha majat e botës.
Adrenalina, gara, humori janë tjera cilësi që mund t`i nuhasësh nën çdo lule, te secili kro dhe pas secilës zile të bagëtive që kullosnin në bjeshkën e Lubotenit.
Nëse jeni në fillet e sportit të bjeshkatarisë dhe dëshironi ta sfidoni veten me teste psikologjike dhe fizike, vendose me patjetër në kalendarin tënd Majen e Lubotenit. Përndryshe do të jesh “i mangët”.
A do ta sfidosh veten prapë, u pyet një bjeshkatarë?! Goja në rrethanën e çastit më thotë jo, por zemra veçse filloi të rrah për Majen e Lubotenit, u përgjigj me krenari.